Mbyllet xhamia në Halabak të Podujevës, shkak përleshjet në mes të dy grupeve
Xhamia në fshatin Halabak të Podujevës është mbyllur përkohësisht, pas një përleshje dypalëshe, të cilët ishin pro dhe kundër hoxhës së ri në fshat, që ishte emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
“Si rezultat i tensionimit të situatës, kjo xhami mbyllet përkohësisht, deri në një vendim tjetër nga ana e KBI-së Podujevë. Vendimi nxirret pas koordinimit edhe me Kryesinë e BIRK”, është thënë në vendimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës, të vendosur në derën kryesore të xhamisë.
Më tutje, në vendim i është kërkuar xhematit që faljen e namazeve përkohësisht ta bëjnë në xhamitë e tjera përreth.
“Ftojmë për unitet, falje e mirëkuptim!”, është thënë në këtë vendim.
Hoxha i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, me të shkuar për herë të parë për të kryer ritet fetare, është tentuar të pengohet nga katër persona, pasi që nuk janë pajtuar me imamin e caktuar nga BIK-u. Të njëjtit kanë tentuar që ta sulmojnë hoxhën, por ky i fundit është mbrojtur nga tre të tjerë, me njërin prej tyre që ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër personat që tentonin të pengonin hoxhën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Grupi i tre personave që mbrojtën hoxhën gjenden në arrati, ndërsa në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur një fotroll e revoles.
I gjithë rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. /Klan Kosova/