McAllisteri: Thaçi dhe Vuçiqi e çuan dialogun në një nivel të ri
Bashkimi Evropian (BE) ka marrë parasysh debatin që po zhvillohet për demarkacionin dhe ndryshimin e kufijve si një zgjidhje e mundshme për Kosovën, por në këtë pikë nuk është i përfshirë në mënyrë aktive.
Kështu ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, David McAllister, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë i cili po qëndron për vizitë në Beograd.
“Sa i përket debatit për një shkëmbim të mundshëm të territoreve, të demarkacionit, ne si Parlament Evropian me shumicë dërrmuese kemi miratuar qëndrimin dhe në ketë formulimin identik në raportin tim mbi Serbinë, si dhe raportin e kolegut tim (Igor) Soltes për Kosovën – ne kemi marrë parasysh këtë debat se çdo lloj marrëveshje duhet të rregullohet reciprokisht midis të dyja palëve, se duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe se duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, rreth çështjes së taksës së Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, ShBA-ja dhe BE-ja kanë shfaqur qëndrim të qartë, por se siç tha ai “në Prishtinë ende nuk e marrim një përgjigje, të cilat ne shpresojmë”.
“Ishim shumë të qartë. Unë do ta përsëris këtë mesazh kur të shkoj në Prishtinë dhe të takoj, ndër të tjera, me Kryeministrin (Ramush) Haradinaj. Ajo që kam dëgjuar në Beograd është se përderisa këto taksanuk tërhiqen, pala serbe nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve në Bruksel”.
Eurodeputeti ka thënë se duhet të përdoret momenti historik për shkak se “presidenti (Serbi, Aleksandër Vuçiq) dhe presidenti (i Kosovës, Hashim) Thaçi e kanë çuar dialogun në një nivel të ri”, ka thënë ai.
McAllisteri bashkë me gjashtë eurodeputetë pas Serbisë do ta vizitojnë Kosovën ku do të zhvillojnë takime me lidershipin politik, deputetë, përfaqësues të opozitës dhe ata të shoqërisë civile
Qëllimi i vizitës është vlerësimi i situatës politike në terren dhe vlerësimi i marrëdhënieve të tanishme të Serbisë dhe Kosovës me BE-në, duke përfshirë reformat e dakorduara në mënyrë reciproke dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës, transmeton Klan Kosova.
Kjo vizitë pritet të trajtojë disa nga temat e theksuara në rezolutat e PE-së të miratuara në nëntor të vitit 2018, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.