McLaren vë në shënjestër Red Bullin: Risi më të mëdha pjesën e dytë të sezonit, synojmë titullin
Andrea Stella, drejtori sportiv i McLaren, ka rinovuar kontratën e tij në krye të skuadrës britanike. Ardhja e tij ka bërë që McLaren të jetë më kompetitive, duke fituar edhe dy gara këtë sezon në Formula 1, një me Oscar Piastri dhe një me Lando Norris. Ndërsa rivalët e Red Bull, Ferrari dhe Mercedes po përpiqen të sjellin përditësime në pistë, për disa javë McLaren ka qenë pika e referencës për sa i përket performancës dhe përshtatshmërisë ndaj pistave, gomave dhe temperaturave.
McLaren ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me paketën e re të sjellë në Miami. Diferenca mes McLaren dhe Red Bull është vetëm 42 pikë, me makinën britanike që ka kaluar Ferrari në renditjen e pilotëve dhe konstruktorëve. Andrea Stella tha se McLaren do të ketë përditësime në më shumë fundjava në gjysmën e dytë të sezonit: “Tani jemi në gjendje të shfrytëzojmë disa nga këto zhvillime që kemi fituar. Pres që për pjesën e dytë të sezonit të kemi mjaft risi në shumë gara, disa pjesë të reja”.
“Në një farë mënyre, jam i befasuar që kemi qenë kaq konkurrues, duke marrë parasysh që nuk kemi sjellë shumë pjesë të reja që nga Miami. Kjo do të thotë që përditësimi i Miami ishte i rëndësishëm, por ka disa përditësime që do të vijnë në pjesën e dytë të sezonit. Ne jemi pranë Red Bull dhe synojmë titullin për konstruktorë këtë sezon. mund t’ia dalim mbanë”, ka deklaruar Stella.