MD: Drafti i projektkodit civil, gati, do të procedohet kur ta kemi mbështetjen në Kuvend
Janë bërë më shumë se dy vjet që nga dështimi i votimit të projektkodit civil, që ndër të tjerash rregullon regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Për të ndërtuar shumicën parlamentare për votimin e këtij projektkodi, zotimin e ka marrë tashmë kryeministri Kurti, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se drafti është i gatshëm por se do ta procedojnë kur të kenë mbështetje në Kuvend.
Më 16 mars të vitit 2022, votimi i projektkodit civil qe në rend të ditës, mirëpo nuk arriti të kalojë në lexim të parë. Në momentin e votimit, në sallë ishin 77 deputetë, prej të cilëve 29 votuan kundër, 28 për, 4 abstenuan, ndërsa 16 nuk morën pjesë në votim.
Ndonëse ishin dhënë disa afate, ky projekt kod qe më shumë se dy vjet nuk është proceduar më në Kuvend. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime, por ministrja Haxhiu ka deklaruar se “nuk është bindur që mund ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk janë të bindur se mund të kalojë”.
Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se drafti për Kodin Civil është i gatshëm, derisa kanë shtuar se do ta procedojnë në Kuvend kur të ketë mbështetje.
“Siç jeni në dijeni, drafti i Kodit Civil është i gatshëm. Është e rëndësishme që i njëjti të kalojë në Kuvend prandaj do të procedohet kur të sigurohemi që do ta ketë mbështetjen në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MD’së për Express.
Ditë më parë, kryeministri Kurti ka thënë se “personalisht do ta ndërtojë një shumicë parlamentare” për votimin e këtij projektkodi, që gjen refuzim të madh te deputetët e partisë që udhëheq vetë ai.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e kancelarit Olaf Scholz.
“Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha ai.
Një nga deputetët e VV’së që kundërshtojnë këtë projektkod është Eman Rrahmani. Së fundi, ai ka thënë se është rritur numri i deputetëve që do të votojnë kundër.
“Po kryeministri Kurti edhe para dy vitesh është marrë me këtë, kemi pasur diskutime edhe në Grupin Parlamentar mes deputetëve, mirëpo këto janë qëndrime të deputetëve, të cilët vendosin për votën e tyre se si do të votojnë për çështje të caktuara. Kurse sa i përket Kodit Civil, unë besoj që kurdo që vjen do të ketë vota edhe më shumë kundër se sa që ka pasur para 2 viteve, në raport me të. Të paktën nga diskutimet që kam pasur unë me deputetët, ka deputetë të cilat kanë votuar pro herën e kaluar dhe tani janë kundër”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Afatet që u harruan
Disa njerëz të rëndësishëm të pushtetit, në kohë të ndryshme, kishin dhënë afate të ndryshme se kur do të procedohet në Kuvend projektkodi civil.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në fillim të shtatorit të vitit 2022 kishte thënë se ky projektkod në vjeshtë do të dërgohet sërish në Kuvend.
“Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si afat për votimin e këtij projektkodi e kishte përmendur periudhën para Vitit të Ri 2023.
“Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini më 8 dhjetor 2022.
Ndërkaq rreth një vit më parë, Ministria e Drejtësisë, i kishte thënë Gazetës Express se “shumë shpejtë” projektkodi civil do të procedohet për votim në Kuvendin e Kosovës.
“Kodi Civil është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë dhe me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë. Së shpejti, Kodi Civil i kompletuar, me të gjitha adresimet do të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës për secilin projektligj por edhe këtë projekt Kod do të diskutojë me Kuvendin për përmbajtjen dhe rregullimin që bënë në të ardhmen Kodi”, thuhej në një përgjigjen e marsit të vitit të kaluar.
Ndërkaq ministrja Haxhiu në gusht të vitit të kaluar, pas një mbledhje të Qeverisë, tha se “brenda këtij viti [2023] të procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile”.
Ajo kishte deklaruar se janë duke punuar me deputetë që kodi të mos dështojë kur të shkojë në Kuvend.
Për këtë temë, në një konferencë për media në janar të këtij viti ka folur ministrja Haxhiu. Ajo tha se projektkodi civil është në agjendë legjislative por shtoi se “nuk mund të thotë me siguri se kur pritet sepse varet nëse i kanë votat.”
Ajo tha se “Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
“Jemi në përpjekje maksimale që të kalojë, në komunikim me deputetët e grupit tonë parlamentar nuk mund të them sot me siguri se i kemi apo nuk i kemi, megjithatë jam optimiste se në momentin kur ta procedojmë edhe do të kalojë. Këtu përgjegjësi ka edhe opozita, sepse ata po thonë që po i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, nëse është kështu, atëherë duhet të votojnë ligje të cilat i shërbejnë qytetarëve”, tha Haxhiu në konferencën e 10 janarit 2024.