MD-ja del me sqarim për tërheqjen e avokatit kryesor të Thaçit: Ne paguajmë vetëm avokatët me të cilët kemi marrëveshje
Ministria e Drejtësisë ka sqaruar situatën në lidhje me tërheqjen e avokatit kryesor të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie janë paguar mbi 3 milionë euro për mbrojtjen e Thaçit.
Në këtë njoftim është thënë se Ministria e Drejtësisë paguan vetëm avokatët me të cilët ka marrëveshje, duke specifikuar se këto pagesa i janë bërë avokatit Luka Misetiq, duke lënë të nënkuptohet se me Kehoen kjo ministri nuk ka marrëveshje.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje:
NJOFTIM
Ministria e Drejtësisë përmes këtij njoftimi, dëshiron të mirë-informojë publikun e gjerë dhe të sqarojë lajmet lidhur me pagesat e avokatëve të personave të cilët akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mos realizmit të pagesave.
Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro.
Pagesa për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023.
Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – ëhtë realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro.
Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro.
Për sqarim tutje, Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatet më të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë.
Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave.
Pra, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Udhëzimin e tillë dhe legjislacionin në fuqi, ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi.