MD-ja dhe BB-ja bashkëpunojnë për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në sistemin e drejtësisë
09 dhjetor 2024
| 16:51
Zëvendësministri i Drejtësisë (MD), Vigan Qorrolli, dhe drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, Lulzim Beqiri, pritën sot në takim përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nicola Scaramuzzo, dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Kosovë, Ermal Vila.
Ky takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për implementimin e sondazhit të drejtësisë nga Banka Botërore, në suaza të projektit “EU4 Rule of Law: Supporting Evidence-Based Policy Making on Justice System Performance in the Western Balkans.”
Ky sondazh, i cili do të realizohet si vazhdimësi e sondazhit të vitit 2020, synon të rrisë njohuritë mbi performancën e sistemit gjyqësor, të mbledhë të dhëna për efikasitetin, cilësinë, qasjen dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të mbështesë dialogun mbi politikat e drejtësisë në përputhje me procesin e integrimit në BE.
Zëvendësministri Qorrolli shprehu angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për të mbështetur realizimin e këtij sondazhi dhe theksoi rëndësinë e tij për identifikimin e sfidave kryesore dhe fushave që kërkojnë përmirësim. Ai theksoi gjithashtu se mbledhja e të dhënave lidhur me ndikimin e reformave në drejtësi do të ndihmojë Ministrinë në vlerësimin e efektivitetit të masave të ndërmarra dhe në hartimin e politikave të bazuara në fakte.
Rezultatet e këtij sondazhi priten të kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, duke përmirësuar perceptimin publik dhe duke forcuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Banka Botërore, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe partnerët institucionalë, ka planifikuar edhe aktivitete të tjera për të mbështetur prioritetet reformuese të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.