MD-ja nis hartimin e strategjisë për parandalimin e dhunës në familje

13 korrik 2021 | 17:11

Zëvendësministrja e Drejtësisë dhe koordinatorja nacionale kundër dunës në familje, Nita Shala, ka hapur punimet e punëtorisë së parë të Grupit punues për hartimin e strategjisë nacionale për mbrojtje nga dhuna në familje 2022 – 2026 si dhe planit të veprimit.

Me këtë rast, Shala, derisa ka folur për rëndësinë e hartimit të kësaj strategjie për mbrojtje nga dhuna në familje, ka theksuar se Ministria e Drejtësisë do të mbetet e angazhuar dhe vullnet plotë që së bashku me akterët relevant të përgatisin në mënyrën e duhur një dokument bashkëkohor e praktik, që do të garantojë avancimin e mbrojtjes së familjes dhe zvogëlimit të dhunës në familje duke siguruar koordinim ndër-institucional dhe përmirësimin e monitorimit të zbatimit të kuadrit ligjor e të politikave në praktikë.

“Koordinimi i veprimeve të përbashkëta, orientimi dhe trajnimi i profesionistëve dhe strukturave përgjegjëse që të ndihmojnë menjëherë viktimat e dhunës në familje; ngritja, zgjerimi e shtrirja e shërbimeve mbështetëse të specializuara; rritja e vetëdijesimit mbi format e ndryshme të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, paralelisht me zbatimin korrekt, të menjëhershëm dhe në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, janë detyrime të institucioneve tona, të cilat duhet të kryhen pa hezitim dhe përgjegjshmëri maksimale”, ka thënë Shala.

Zëvendësministrja Shala ka thënë se është përkushtim i Ministrisë së Drejtësisë avancimi i infrastrukturës ligjore me qëllim të adresimit më të mirë të çështjeve të dhunës në familje, si dhe përmirësimi i përgjigjes ndaj rasteve të dhunës në familje të institucioneve përgjegjëse edhe përmes koordinimit ndër-institucional efektiv.

“Nisma për përmirësimin e Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, i shërben adresimit më të mirë të çështjeve të dhunës në familje pikërisht në përputhje dhe me parimet e standardet e Konventës së Stambollit. Ligji për ndihmë juridike falas është në proces final konsultimi para dërgimit për aprovim në Qeveri, me të cilin do tu garantohet ndihmë juridike falas viktimave të dhunës në familje, si kategori e posaçme. Po kështu, e gjithë puna që bëhet çdo ditë nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë, qoftë drejt krijimit të linjës së përhershme buxhetore për strehimoret, qoftë përmes diskutimeve në kuadër të grupit koordinues ndër-ministror është përsëri në funksion të të njëjtit qëllim: të mostolerancës ndaj sjelljeve të dhunshme, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohen!“ tha Zëvendësministrja Shala.

Shala në mbyllje të fjalës së saj ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit pjesëmarrës në këtë punëtori dhe njëherit ka shkrehur falënderim dhe mirënjohje për mbështetjen e pakursyer dhe partneritetin të cilën e ka ofruar UN Women, përmes mbështetjes së kësaj punëtorie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se…