MD-ja paralajmëron ridërgimin e Kodit Civil në Kuvend

17 mars 2022 | 15:43

Ministria e Drejtësisë (MD) në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.

Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, kjo ministri ka bërë me dije se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e KoditCivid  gjatë seancës së 16 marsit.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë Kodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kanë kundërshtuar nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria nuk ka dhënë më shumë detaje se a do ta ndryshojë Kodin Civil, apo do ta riprocedojë të njëjtin.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.

Në anën tjetër, Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.

“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, ka thënë ai  për “Radion Evropa e Lirë”.

Për këtë Kodin Civil kanë votuar 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Kodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.

Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Kodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.

Ndërsa të enjten, disa qytetarë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Kodit Civil. Protestuesit e kanë dënuar edhe gjuhën e përdorur nga deputetët gjatë seancës së Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Luftimi i krimit të çfarëdo natyre, në…