Më 1 qershor hapën plazhet në Shqipëri

29 maj 2020 | 15:42

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu,  ka bërë me dije të gjitha aktivitet që do të lejohen prej 1 qershorit, duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Manastirliu ka deklaruar se prej datës 1 qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dy javor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, sipas vendimit të Komitetit Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 Qershor: Lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, pa kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet, duke zbatuar protokollet e sigurisë së miratuar. Do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor, si një masë e që po ndiqet edhe në vendet evropiane dhe vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi, për raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC”, ka thënë ajo, raporton “TCh”.

Ajo ka bërë me dije se edhe plazhet do të hapen prej 1 qershorit.

“Nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat që do të bëhen publike nga MTM, duke informuar se çdo kush që shkel rregullat për arsye përfitimi në plazh do të penalizohet”, ka thënë Manastirliu, duke shtuar se nga 1 qershori do të lejohen edhe kampionatet sportive, pa praninë e publikut.

“Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë”, është shprehur ajo.

Më tutje, ajo ka theksuar se në fundjavë do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset, por edhe këtë fundjavë nuk do të lejohet lëvizja e rezidentëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen.

Ministrja ka apeluar që me hapjen e madhe nga 1 qershori qytetarët dhe bizneset të rrisin më tepër vigjilencën duke zbatuar distancimin fizik, masat e higjienës personale dhe udhëzimet e protokolleve në aktivitetin e përditshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me tetë vota për…