Më 10 gusht në Gjilan nis faza e dytë e dezinsektimit hapësinor

08 gusht 2022 | 15:19

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan ka bërë me dije se më 10 gusht do të fillojë faza e dytë e dezinsektimit hapësinor dhe do të zgjasë deri më 15 gusht.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani, ka njoftuar se dezinsektimi do të bëhet nga ora 19:30 deri në orën 24:00, ndërkaq ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj kohe t’i mbajnë dritaret e mbyllura që të mos futen mushkonjat (insektet) brenda. “Faza e dytë e dezinsektimit fillon nga lagjja ‘Zabeli’, gjegjësisht nga kolektori ku zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve të tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha në të dyja anët e tij deri afër hotelit ‘Kristal’. Po ashtu, do të përfshihen lagjet Reshat Ymeri e Dheu i Bardhë. Në ditët në vijim do të përfshihen lagjet Dardania, Kodra e Dëshmorëve, Arbëria si dhe tërë lagjet e hapësirat e tjera të qytetit”, ka thënë Osmani.

Drejtoresha e Shëndetësisë ka theksuar se në zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të mushkonjave (insekteve), sidomos rreth lumenjve, do të bëhet dezinsektimi në këto fshatra: Malishevë, Uglar, Pogragjë, Dobërçan, Përlepnicë, Livoçi i Epërm, Livoç i Poshtëm, Cërrnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë. Në rast të kushteve të pafavorshme klimatike (shi, erë e fortë) punët do të shtyhen deri në ditën e ardhshme me mot të mirë dhe vazhdojnë sipas orarit të paraparë. Ndryshe, faza e parë e dezinsektimit hapësinor është realizuar më 18 korrik, e cila ka zgjatur gjashtë ditë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, Burim…