Më 10 janar legjendat e futbollit shqiptar përballen me ato turke, greke e italiane
Në “Air Albania Stadium” deri tani janë zhvilluar dy sfida zyrtare, ndeshja e kombëtares me Francën dhe derbi mes Partizanit e Tiranës, megjithatë në 10 janar pritet të luhet një sfidë edhe më e rëndësishme.
Dueli mes legjendave të futbollit shqiptarë përballë atyre turq, grekë dhe italianë pritet të afrojë një stadium me tifozë të shumtë dhe të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë të gjitha në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.
Presidenti i sindikatës së futbollistëve profesionistë, Andi Lila është ndalur të na tregojë në mënyrë ekskluzive emrat e Gold Team Italia, pjesëmarrës të veçantë dhe detaje të tjera rreth eventit të 10 janarit.
“Do të jetë një event madhështor. Në fillim ka një moment show ku pritet të këndojë MC Kresha dhe emra të tjerë të muzikës, ndërsa sa i përket legjendave shqiptare nuk do mungojnë Igli Tare, Lorik Cana, Ervin Bulku, Ervin Skela e të tjerë.
Padyshim do ketë dhe futbollistë që kanë luajtur për kombëtaren e Maqedonisë. Ky do të jetë një event gjithë përfshirës sepse ky është qëllimi kryesor. Ne duam të bëjmë pjesën tonë me të ardhurat që do shkojnë në ndihmë familjeve më në nevojë”, shprehet Andi Lila.