Më 14 maj 2023 mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri

24 tetor 2022 | 15:18

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka caktuar 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

“Sot caktova 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore. E vlerësoj periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare dhe theksoj se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare”, ka njoftuar Begaj.

Ai ka ftuar të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

“Ftoj votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Vlerësoj nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bëj thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike”, ka njoftuar presidenti Begaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka falënderuar Rusinë për…