Me 14 nëntor nis gjykimi ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës
Më 14 nëntor 2024, në orën 9:30 fillon gjykimi në çështjen e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK). Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi. Më 14 nëntor, Krye gjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarit, do t’i informojë ata mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do t’i pyesë nëse e kanë kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshirojnë të konfirmojnë vetëdeklarimin e tyre të mëhershëm si të pafajshëm. Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe Mbrojtjes së Shalës. Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, Trupi Gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Shalës. Mbrojtja e Bahtijarit do ta mbajë deklaratën hyrëse të kërkuar në një datë të mëvonshme, pasi ZPS-ja të ketë thirrur dëshmitarët dhe të ketë paraqitur provat e saj. Më 9 dhjetor 2024, ZPS-ja do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Seanca më 14 nëntor 2024 pritet të jetë publike dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së (https://ëëë.scp-ks.org/sq/transmetim) me 45 minuta vonesë.
Historiku i çështjes gjyqësore
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si z. Januzi dhe z.Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës. Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 12 dhjetor 2023. Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat. Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari me çështjen kundër z. Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore. Pas ndryshimit të njërës prej akuzave për z. Januzi dhe z. Bahtijari më 8 korrik 2024, paraqitja e mëtejshme e z. Januzi dhe z. Bahtijari u mbajt më 12 korrik 2024, gjatë së cilës të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar. Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake, ndërsa versionet më të fundit të dosjeve paraprake të tri ekipeve të Mbrojtjes u dorëzuan më 2 shtator 2024. Versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të ZPS-së, Shalës dhe Bahtijarit janë të disponueshme.