Më 15 gusht mbahet ankandi i dhjetë i letrave me vlerë për vitin 2024
08 gusht 2024
| 12:33
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 15 gusht 2024 do të mbahet ankandi i dhjetë për vitin 2024.
Në këtë ankand, sipas kësaj ministre do të emetohen obligacione me maturitet 3-vjeçar në shumën prej 10 milionë euro.
“Investimi në obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (3 vjet) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi”, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ministria ka ftuar të interesuarit që ta kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.