Më 15 janar do të ndizen qirinj në qendër të Prishtinës
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësuan si gjenocid dhe u përcaktua që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Me qëllim që kjo ditë të shënohet në mënyrë dinjitoze, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” fton të gjithë shqiptarët, në cilindo shtet qofshin, që në mbrëmjen e kësaj date, në ora 19:30, të ndezin një qiri, në shenjë nderimi të mbi 10 mijë civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës 1998-1999, të mbi 20 mijë femrave shqiptare ndaj të cilave është ushtruar dhunë seksuale dhe të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizojnë manifestimin qendror në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku më 15 janar 2025, në ora 19:30, do të ndizen qirinjë në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë. Ata që nuk mund të na bashkëngjiten, të ndezin një qiri në ballkonet apo dritaret e shtëpive të tyre.
Në të njëjtën kohë ftojmë shoqatat e viktimave të luftës dhe qytetarët e qyteteve të tjera të gjejnë formën e përshtatshme që të përkujtojnë viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Prishtinë, 11 janar 2025
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
Parlameni i Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”
—
#nenukharrojme #gjenocidinëkosovë #neveragain #nenukharrojmë #kosovogenocide🕯️ #kosovogenocide