Më 15 tetor Termokosi fillon ngrohjen
Termokosi ka përfunduar pjesën dërmuese të punëve teknike, që janë të domosdoshme për një fillim të mbarë të sezonit të ri ngrohës, përderisa kanë mbetur edhe dy segmente për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes.
Kështu ka bërë të ditur për Indeksonline, zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka e cila thotë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për t’ju siguruar qytetarëve një ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore.
Ndërsa, ajo bën të ditur se Termokosi është i obliguar që të fillojë me furnizim me ngrohje nga 15 tetori, nëse kushtet klimatike janë të favorshme për furnizimin me ngrohje.
“NP “Termokos” SH.A ka punuar intensivisht që nga përfundimi i sezonit ngrohës 2017/2018 në përgatitje për sezonin e ri ngrohës 2018/2019. Tanimë kanë përfunduar pjesa dërmuese e punëve teknike, që janë të domosdoshme për një fillim të mbarë të sezonit të ri ngrohës dhe për të siguruar një ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për gjithë konsumatorët tanë. Ndërkaq, në proces janë përfundimi i punëve për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në dy segmente, nga Fakulteti Teknik në drejtim të lagjes “Bregu i Diellit” dhe segmenti tjetër nga “Termokos” në drejtim të “Ibër- Lepencit”. Ligjërisht “Termokos” është i obliguar që të fillojë furnizimin me ngrohje nga 15 tetori, nëse kushtet klimatike janë të favorshme për furnizim me ngrohje”, ka deklaruar ajo.
Uka ka theksuar se ka konsumatorë që kanë borxhe ndaj Termokosit që nga paslufta dhe se borxhi total kap shifrën e 17 milionë eurove.
“Që nga paslufta e deri më tani borxhi total, që mbi 13 mijë konsumatorë i kanë ndaj “Termokos”-it kap shifrën e 17 milionë eurove. Ndaj konsumatorëve borxhlinj do të ndërmerren të gjitha masat ligjore në fuqi për t’i detyruar ata që të shlyejnë borxhet, që kanë ndaj kompanisë sonë, duke përfshirë ngritjen e padive në gjykata si dhe bashkëpunimin me përmbaruesit për të inkasuar borxhet”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, sa i përket zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, sipas saj, janë në pritje të Komisionit Evropian që të shpallë operatorin i cili do të fitojë tenderin për kryerjen e punimeve për zgjerimin në rrjetet e ngrohjes, të cilat pritet të fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.