Më 16 dhjetor në Prishtinë organizohet Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur në takim presidentin e Federatës Evropiane të Xhudos, Laszlo Toth, zëvendëspresidentin e Federatës Evropiane të Xhudos, Hrvoje Lindi e ku të pranishëm ishin presidenti i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka, trajneri Driton Kuka dhe zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, raporton “Epoka e re”.
Minstri Çeku ka konfirmuar se më 16 dhjetor, Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos, ku do të marrin pjesë mbi 40 shtete.
“Sukseset e xhudistëve tanë nëpër botë janë të pamatshme. E emocionet që na dhurojnë nëpër gara, erdhi koha t’i përjetojmë edhe në Kosovë. Më 16 dhjetor, Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos, ku do të marrin pjesë mbi 40 shtete”, ka shkruar Çeku.
Postimi i plotë i ministrit Çeku:
Sukseset e xhudistëve tanë nëpër botë janë të pamatshme. E emocionet që na dhurojnë nëpër gara, erdhi koha t’i përjetojmë edhe në Kosovë. Më 16 dhjetor, Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos, ku do të marrin pjesë mbi 40 shtete.
Në takimin e sotëm me presidentin e Federatës Evropiane të Xhudos, László TOTH, zëvendës presidentin e Federatës Evropiane të Xhudos, Hrvoje Lindi, presidentin e Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka, trajnerin Driton Kuka, zëvendësministren, Daulina Osmani dhe shefen e kabinetit në MKRS, Klodeta Krasniqi, u nënshkrua marrëveshja që zyrtarizon këtë ngjarje të madhe për shtetin tonë.
Kampionati do të organizohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, i cili në kohë rekord po tregon rezultate konkrete për sportistët dhe të ardhmen e të rinjve tanë.
Përfitimet e Kosovës përmes këtij organizimi do të jenë direkte. Konsolidim i imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcim i përkatësisë dhe identitetit shtetëror, ndikim në përmirësimin e infrastrukturës fizike sportive, ekonomi dhe zhvillim i turizmit sportiv.