Më 16 shtator fillon kampionati i ri i hendbollit
Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës nën udhëheqjen e presidentit Eugen Saraçini ka mbajtur mbledhjen e radhës ku diskutoi dhe vendosi për çështje të rëndësishme në prag të edicionit të ri garues.
Në këtë mbledhje është vendosur që Superliga e hendbollistëve në edicionin 2023/2024 të ketë tetë skuadra. Drita e Gjilanit dhe Llapi kanë hequr dorë nga paraqitja në Superligë dhe do të garojnë në Ligën e Parë. Gara do të zhvillohet në sistem të katërfishtë e më pas plejofi.
Në Superligën e hendbollisteve numri i skuadrave dhe sistemi garues nuk ka ndryshuar nga edicioni i kaluar.
Ndërkohë kampionati i ri në të dy konkurrencat fillon më 16 shtator. Një javë para fillimit të kampionatit zhvillohet Superkupa e Kosovës në hendboll. Bordi po ashtu vendosi që skuadrat që garojnë në Evropë të përkrahen me nga 1 000 euro shtesë.