Më 17 dhjetor nis procesi i legalizimit të armëve
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të premten është mbajtur takimi i grupit punues për rishikimin e planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare për Armët e Vogla dhe të Lehta dhe planit të veprimit të Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla dhe të Lehta.
Ky takim është drejtuar nga Koordinatori Kombëtar për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, i cili mban edhe postin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Në takim grupi punues ka prezantuar planin e rishikuar dhe i njëjti u aprovua, për t’u proceduar pastaj për nënshkrim nga ana e ministrit të MPB-së.
Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për përgatitjet dhe prezantimin e prioriteteve në takimin e nivelit të lartë ndërministror që do të mbahet në Paris më 11 dhjetor 2018, ku Republika e Kosovës do të paraqes një numër të projekteve për aprovim nga donatorët.
Po ashtu zëvendësministri Zeka ka folur edhe për përgatitjet e bëra në implementimin e procesit të Legalizimit të Armëve që do të fillojë më 17 dhjetor të këtij viti, ku u akorduan për hapat e mëtejmë me qëllim që procesi i Legalizimit të realizohet me sukses.
/Epoka e re/