
Më 18 tetor KS i OKB-së debaton për Kosovën. Ja çfarë thotë Guterres në raportin e ri
Në raportin e rregullt gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Kosovën, i cili do të prezantohet më 18 tetor në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka shprehur shqetësimet e tij për zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos në veri.
Guterres situatën e ka cilësuar jostabile dhe të brishtë, raporton nga OKB gazeta zvicerane në shqip “Le Canton27.ch”.
“Retorika e shtuar mes Beogradit dhe Prishtinës që ndikoi në përshkallëzimin e tensioneve në terren, shënoi progres në normalizimin e marrëdhënieve në periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2022”, thuhet në raportin e OKB-së.
Në vazhdim të këtij raporti të posapublikuar të shefit të Kombeve të Bashkuara thuhet se “të dyja palët kanë debatuar më së shumti për votën në Kosovë gjatë zgjedhjeve në Serbi, çështjen e lëvizjes së lirë dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme për çështjet energjetike dhe Asociacionin e Komunave Serbe…”.
Po ashtu në këtë raport thuhet se “tensionet dhe retorika e nxehtë gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport pasqyrojnë situatën e brishtë në terren. Ngjarjet e 31 korrikut në veri të Kosovës, si reagim ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me lirinë e lëvizjes, ishin një përshkallëzim serioz, i cili e solli situatën në prag të ballafaqimit me pasoja potencialisht tragjike”.
Guterres vuri në pah se paqja mbizotëroi falë angazhimit të diplomatëve, procesit të dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Angazhimi permanent i zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë kontribuoi dukshëm në uljen e tensioneve dhe ruajtjen e angazhimit në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian..”ka nënvizuar Guterres.
Guterres në këtë raport u ka bërë thirrje të dyja palëve të vazhdojnë angazhimin për të ruajtur integritetin e procesit të dialogut dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Njëkohësisht sipas raportit te shefit te OKB-së “takimi i nivelit të lartë ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, i mbështetur nga BE-ja më 18 gusht, dëshmoi përkushtimin e tyre për zgjidhje paqësore përmes dialogut…”.
Në raportin e OKB-së thuhet po ashtu se duke iu referuar të dhënave të UNHCR-së nga data 16 mars deri më 15 shtator 2022, në Kosovë janë kthyer 120 persona, prej të cilëve 102 nga minoriteti serb. Numri i përgjithshëm i të kthyerve që nga viti 2000 arriti në 29,285 persona.