Më 2 gusht hapet Panairi i Librit në Ferizaj
Pasionantët e librit kanë mundësinë që dy ditë vape të kësaj vere t’i kalojnë nën hijen e stendave që do të vendosen nga 2 deri më 4 gusht në sheshin qendror të Ferizajt, në hapjen e Panairit të Librit që mëton të jetë tradicional.
Tashmë, shtëpitë botuese e bashkë me ta edhe drejtuesit e Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj, organizatorë të kësaj ngjarje kanë bërë gati të gjitha përgatitjet.
Verës po i shtohet edhe kjo ngjarje e rrallë e këtij lloji dhe përmase në qytetin tonë. Ulje çmimesh për libra të llojllojshëm, tituj të rinj, botime nga më të ndryshmet e aktivitete përcjellëse artistike janë disa nga momentet që do të shënojnë këtë ngjarje që ngre siparin në ditën e dytë të gushtit.
Organizatorët, Klubi Letrar “De Rada”, të mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Ferizajt thonë se janë gati të mirëpresin qindra e mijëra vizitorë ferizajas e nga qendra të tjera, sidomos të rinj, që kultura e leximit dhe qarkullimi i librit të ngrit standardin.
Ferizaj, qendra nga ku burojnë ide e nisma kulturore të vlefshme edhe kësaj radhe po jep shembullin sesi me djersë e përpjekje të pandalshme, qytetarëve i ofrohen ngjarje e momente të veçanta kulturore- artistike.
Me kosto minimale, qytetarët kanë një mundësi më shumë, të pasurojnë jetën e tyre intelektuale e sociale, duke vizituar e blerë librat që zënë vend në këtë panair.
/Epoka e re/