Më 2024, Qeveria planifikon t’i bëjë autostradat me pagesë
Në projektligjin për rrugët, të miratuar në qeveri, më 13 dhjetor parashihet që autostradat të bëhen me pagesë.
Aktualisht autostrada të gatshme në të cilat mund të fillojë pagesa janë dy, “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, por taksa do të vlejë edhe për autostradat e reja që pritet të përfundojnë në dy vitet e ardhshme.
Ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë se qytetarët e Kosovës, taksat rrugore do t’i paguajnë kur t’i regjistrojnë veturat, ndërsa ata që vijnë nga jashtë do të bëjnë pagesë në mënyrë elektronike.
“Ka qenë kërkesë e kamotshme, por jemi duke e mendu një sistem tjetër, sistem digjital, ku veturat kur regjistrohen e bëjnë atë taksën, ndërsa ato që vijnë nga jashtë e detyrohen të paguajnë nëpërmes sistemit të e-vinjetës, që përdoret nëpër vendet e perëndimit”, tha Aliu.
Sipas njohësve të komunikacionit dhe atyre të ekonomisë, këto autostrada i plotësojnë kushtet që të bëhen me pagesë, por kërkojnë që çmimi të jetë i arsyeshëm.
“Kosova i ka dy autostrada, atë “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, që të dyja i plotësojnë kriteret për me u pagua, mirëpo nuk duhet të vendoset taksa 5 euro se është shumë, taksa nuk duhet të kalojë vlerën më shumë se 1 euro e 50 centë, pra të jetë në proporcion me rrogat në Kosovë”, tha Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.
“Është e mirëseardhur për buxhetin e Kosovës, edhe për faktin që edhe shtetet e rajonit e kanë një taksë të tillë, si Shqipëria dhe Maqedonia. Uroj që taksa të jetë në proporcion me të hyrat e qytetarëve dhe të bizneseve, që të mos jetë taksë shumë e ngarkueshme”, tha Mustafë Kadrija, ekonomist.
Projektligji mes tjerash, parasheh gjithashtu edhe rehabilitimin e rrugëve, ndërtimin e nënkalimeve, si dhe lidhjen e autostradave me rrugët lokale.