Më 21 shkurt pritet të fillojë gjykimi i Pjetër Shalës
Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka caktuar një bllok seancash për rastin e Pjetër Shalës, gjykimi i të cilit pritet të fillojë më 21 shkurt 2023, ku do të parashtrohen deklaratat hyrëse nga ana e palëve në procedurë.
Duke marrë parasysh se salla e vetme e gjyqit në dispozicion duhet të ndahet me panel(et) e tjera të Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka vendosur që paraqitja e provave të fillojë më 27 mars 2023, në orën 09:30.
Trupi gjykues do të fillojë bllokun e parë të provave deri më 31 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Blloqet e mëposhtme (deri në pushimin e verës gjyqësore) janë: • E hënë, 1 maj 2023, ora 09:30 deri të premten, 5 maj 2023; • E martë, 30 maj 2023, ora 09:30 deri të premten, 9 qershor 2023; dhe • e hënë, 26 qershor 2023, ora 9:30 deri të mërkurën, 28 qershor 2023 dhe e premte, 30 qershor 2023, nga ora 09:30 deri të premten, 7 korrik 2023”, është thënë në vendim.
Sipas vendimit, këto data mund të ndryshojnë, në varësi të disponueshmërisë së sallës së gjyqit. Kurse, datat e ardhshme të seancave do të komunikohen në kohën e duhur.
Ndryshe, Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.