Më 23 korrik mblidhet Kuvendi, në shqyrtim edhe projektligji në lexim të dytë për buxhetin

15 korrik 2020 | 17:59

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës në mënyrë elektronike (virtuale), në të cilën vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare më 23 korrik.

“Në orën 10:30, Kuvendi do të vazhdojë seancat me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota për, si dhe dy propozim-rezolutat nga debati i fundit i Kuvendit lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga ana e qeverisë. Ndërkaq në orën 11:00, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga shtatë deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës”, është bërë me dije në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, nëse Komisioni për Buxhet dhe Transfere arrin ta kryejë punën e tij, pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance pritet të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Në këtë mbledhje, Kryesia ka shqyrtuar edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. “Kështu, komisionet përkatëse u ngarkuan me shqyrtimin e tri projektligjeve: Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë Covid-19, Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, si dhe Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, për të cilat qeveria ka dhënë opinion negativ, duke i konsideruar të panevojshme. Po ashtu për shqyrtim në komisionin përkatës parlamentar u procedua edhe Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i mbështetur edhe nga qeveria”, është bërë me dije në njoftimin e Kuvendit.  ​

( A. M/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent…