Më 25 prill tepsia mund të ngelë në të njëjtat duar?
Nga Bedri Islami
Katër forca të reja politike si asnjëherë tjetër në një periudhë kaq të shkurtër, kanë zanafillën e tyre nga skizma me PD-në. Më shumë se me emrat e tyre, ata njihen si strukturat e Topallit, Patozit, Murrizit dhe Hajdarit dhe, që të katërta, në një mënyrë ose në një tjetër, janë shprehur për ndryshimin e këtij detashmenti politik, ku, që të gjithë, deri para katër vjetësh kanë qenë pjesë jo pak e rëndësishme.
Kundër kujt janë këto forca politike dhe kë mbështetin?
Janë vërtet risi politike, ku mund të besosh apo e vjetra rivjen, edhe kësaj here, përmes riciklimit të së vjetrës? Janë ngritur vetvetiu apo dikush tjetër qëndron pas tyre? Kanë ata veç e veç, apo të gjitha së bashku, atë vitalitet politik saqë t’i përmbysin fronet ku është ulur prej kaq viteve një klasë politike thellësisht e korruptuar dhe mizore, apo e gjitha është një lojë e vjetër me karta të reja?
Që të gjitha, megjithëse deklarohen se janë për përmbysjen e qeverisë Rama, në të njëjtën kohë janë edhe kundërshtare të partisë së tyre mëmë, sidomos të liderit të saj, Basha. Për arsye që dihen, ata e kanë shpallur drejtimin e PD-së nga Basha si një dështim të turpshëm, amorf, pa asnjë ide dhe shërbyese e qëndrimit në pushtet të Edi Ramës. Më shumë duket se do të shpallin luftë kundër Bashës sesa ndaj së majtës, që politikisht ka qenë kundërshtarja e tyre. Zemërimi i tyre ndaj partisë nga erdhën në politikë është i pareshtur dhe janë në të drejtën e tyre të dëshmojnë një të vërtetë që dihet: në ujërat që nuk lëvizin, gjërat marrin erë. Dhe Basha është një lider që lëviz me shumë vështirësi, më tepër është ngurrues sesa veprues, i paqëndrueshëm, por llogaritës i hollë. As Topalli e as Patozi nuk e kishin menduar se në vitin 2017 do të ishin jashtë listave dhe se rrugët e politikës, të paktën për katër vjet, do të ishin të mbyllura për to. Qetësia e Bashës, që është në gjithçka e kundërta e Berishës dhe harresa e qëllimshme e këtij të fundit ndaj figurave politike që i kishte pasur nënkryetarë, janë shenja e parë se lufta do të jetë brenda llojit dhe do të jetë e rëndë, e vazhdueshme dhe me pika të pakta bashkimi.
Murrizi dhe Hajdari, po ashtu, tehun më të madh e kanë ndaj Bashës, ku mendojnë se mund të marrin më shumë vota dhe kanë përparësinë e lëshimeve që u ka bërë Rama në parlament, pa e menduar se e ka bërë këtë kur u duheshin dhe se, edhe pak, nuk do t’i duheshin më, vetëm nëse bëjnë mrekulli më 25 prill dhe bëhen të domosdoshmit e qeverisjes, çka e vështirë të ndodhë.
Asnjëra nga forcat e katërshes nuk janë risi politike. Asnjë ide apo vizion i tyre, asnjë lëvizje politike nuk sjell risi, duke ia filluar që nga katarsisi i asaj që ka ndodhur kur kanë qenë pjesë drejtuese e deri te qëndrimet e tashme.
Më shumë se luftë e ideve, do të jetë luftë e figurave. Çdo i larguar apo i lëçitur nga Basha do të gjejë vend në portat e reja që janë hapur. Secili që do të pranojë të trokasë do ta gjejë portën e hapur, por kjo nuk përbën as risi dhe as pastrim të politikës. Të gjithë janë të njohur, të gjithë të provuar.
Topalli dhe Patozi kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të çdo lëvizje në qeverinë Berisha, megjithëse nuk kanë qenë pjesë të kabinetit por, ama, funksionarë të rëndësishëm kanë qenë: e para si kryetare e parlamentit në tetë vjet e thuajse po aq edhe si nënkryetare, në qeverisjen e së majtës; i dyti nënkryetar i partisë dhe shef i grupit parlamentar. Asnjëri prej tyre nuk nxori zë kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, kur u vranë njerëz në bulevard, kur zëvendëskryeministri i qeverisë së përbashkët me LSI-në shfaqej me bllok në duar duke kërkuar 700 mijë euro si paradhënie të një tenderi; nuk folën për drejtësinë kur vrasësit u shpërblen me disa rroga, kur u katapultua Basha dhe u eliminua më i guximshmi i tyre, Olldashi.
Pra, ata ishin pjesë e asaj që kishte ndodhur. Asnjëra prej tyre nuk ishte për “marshalla” e as “amen”. Të gjitha ishin të turpshme.
Që nga dalja në skenë e “Bindjes Demokratike” u hodhën shumë dyshime: janë vërtet “të bindur”, apo i kanë bërë të binden.
Që të jetë risi politike, kundër detashmentit politik të tashëm, një forcë e re politike, aq më tepër e dalë në një periudhë krize, qoftë edhe të sajuar, si ajo e zgjedhjeve bashkiake, duhet të dëshmojë se është e pastër financiarisht. Pra, t’i dëshmojë burimet e saj financiare, ndryshe do t’i lërë rrugë mendimit që bulon edhe sot e kësaj dite se bindja, si forcë politike, më shumë është e bindur ndaj shefit të qeverisë sesa ndaj vizionit për ndryshim.
Nëse nuk e ka bërë këtë, atëherë do të futë në një qark dyshues edhe forcën politike të Topallit që, po ashtu, gjen një çast të ngjashëm për ngritje: prag zgjedhjet politike!!!
A është ndasia e tyre me PD-në dhe me Bashën kaq e madhe saqë të krijojë vetvetiu këtë ndarje politike? Nëse do të ishin deputetë në vitin 2017 a do të kishim këtë ndarje dhe pse do ta kishim? Deri tani e vështirë për t’u marrë me mend dhe, edhe më tej, e vështirë për të qenë e besuar? Nga një shkak: ata janë ndarë me liderin, por jo me bëmat e forcës ku ishin numri dy e numri tre!!!
A mund ta përmbysin fronin e uzurpuar nga një klasë politike që në 30 vjet bëri pak hair e shumë dëm?
Ta lëmë mënjanë se edhe këto, vetë ose prindërit e tyre – rasti Hajdari, ishin pjesë e kësaj klike dhe, duke përjashtuar zotin Murrizi, tek i cili njeriu mund të besojë, janë tani njerëz të pasur, me gjendje të fuqishme financiare, me shtëpi dhe pasuri të tjera. A janë aq të besuar sa “të nusërojnë” edhe një herë? E vështirë të mendohet e po aq e vështirë, në mos më shumë, të besohet!
Forca e tyre politike, veç e veç, është minore. Ata mund të përbëjnë një levë të domosdoshme vetëm nëse bashkohen në një njësi të vetme, kur edhe numri i paktë i deputetëve mund të sjellin të domosdoshmit në qeverisje, rol të cilin e ka bërë deri para katër vjetëve LSI-ja. Vonesa e Bashës për të pasur një konfiguracion politik të hartës së deputetëve, aq më tepër ngurrimi për t’i caktuar drejtuesit politikë në disa qarqe, do të krijojë edhe më tej panik në një pesëshe tjetër rreth opozitës, disa drejtues të së cilës presin t’u bjerë nga qielli “buka e premtuar”, sidomos Ndoka dhe Dule. Edhe të tjerët nuk janë të sigurt se ku do të jenë, në cilat lista, në cilin rend, apo do të jenë pas listës si në vitin 2017 kolegë të tyre!
Më shumë se gjithçka tjetër kjo është një lojë e vjetër e politikës me karta, po ashtu, të vjetra. Megjithatë, disa prej tyre e luajnë krejt mirë dhe asnjë rastësi nuk do të jetë e tillë.
Në kohën kur më shumë se 13 forca politike, që nga e majta e njohur dhe deri tek e djathta, që nga forcat e njohura si PD dhe LSI e deri te Lëvizja VV!, janë rreshtuar kundër Edi Ramës, nuk do të ishte çudi që ndërsa ata vazhdojnë të kapin në të njëjtin hulli, kreu i Rilindjes të vazhdojë të qeverisë.
13 copët e tepsisë së pushtetit mund të ngelin nëpër dhëmbë, ndërkohë që mund të ndodhë e pandodhura: tepsia të ngelë në të njëjtat duar dhe të tjerët të sillen rreth saj… enigmë është se cilët do të ftojë Edi Rama për t’i “ngrënë” anët e tepsisë: nga të vjetrit apo të rinjtë që nuk janë edhe aq të rinj.
Kartat po hidhen! Nuk dihet vetëm se kush i përzien!