Më 28 nëntor në Mitrovicë organizohet ekspozita mbarëkombëtare Çmimi “Kadri Kadriu”
Drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.
Fillimisht drejtori për Inspeksion, Hysni Ahmeti, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me aksionin e zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me datën 23.11.2019 dhe 24.11.2019, duke inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës, me ç’rast vendimi për ditën e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.
Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci ka thënë se për nder të festës së 28 nëntorit, DKRS-ja ka organizuar ekspozitën mbarëkombëtare Çmimi “Kadri Kadriu” e cila do të mbahet nesër me datën 26 nëntor 2019, duke filluar nga ora 18:00, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ndërsa me datën 27 nëntor do të bëhet shfaqja e teatrit të qytetit “Kur treni vonohet”, nga ora 13:00 dhe në ora 15:00 në Qendrën e Kulturës.
Po ashtu, drejtori Peci ka theksuar se me datën 28.11.2019, duke filluar nga ora 10:00 do të bëhen homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, për të vazhduar tek kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pastaj tek shtatoret e dëshmorëve Avni Shabani, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Artim Jashari, Harun Beka, Safet Boletini, Shemsi Ahmeti, Mehë Uka, si dhe vizitë në kullën e heroit kombëtar Isa Boletinit.
/Epoka e re/