MË 28 NËNTOR TË GJITHË PO BËHEN PATRIOTË O BACA ADEM, EDHE ATA TË 29 NËNTORIT!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Shkuan, hëngrën, pinë dhe….: Baca Adem, për së gjalli kur doje ta dërgoje një porosi për proceset në Kosovë, Shqipëri apo ku jetonin shqiptarët,TI bashkëbisedoje me Heronjtë e Kombit dhe, kush ishte bektesh, e merrte vesh.
Në çaste të caktuara kur, kryesisht bëhesha nervozë dhe këtë e shprehja përmes shkrimeve, më thoshe: “Qetësohu, ulu në b.. sepse, me pyet nuk po na pyesin, me dëgjua nuk po dëgjojnë prandaj do të vjenë një kohë kur do të na vjenë keq – gjynah për këta shokët tonë…”. Ashtu ishte Bacë, pa asnjë përjashtim! T’i ngushtuan dhe pamundësuan shtigjet që të merresh me një politikë në dobi të Kombit dhe Atdheut, nuk të lejuan të bëhesh as deputet i Kuvendit të Kosovës, madje nuk të lejuan asnjëherë t’i drejtohesh Kombit nga foltorje e Kuvendit, as në raste ceremoniale e lëre më të bëhesh president sepse e dinin se nuk do të bëhesh asnjëherë kallauz për të tjerët. Në ndërkohë, nuk mbeti politikan, oborrtar, rrogëtar ndërkombëtar, gjithsesi pa iu drejtuar delegatëve të Kuvendit të Kosovës që e pranonin si të ishte vete Zoti i zotave, Zeusi. Ta bënë një ceremoni varrimi që ma mirë mos ta kishin bërë se që e bënë ashtu duke e shndërruar vendin ku prehesh në përjetësi në parking të veturave dhe kamionëve, pa e mirëmbajtur fare, me barishta dhe baltë përreth. Po të mos ishte Arbërie Demaçi që e pastronte vendin, ai varr do t’i përngjante varreve të nizamëve shqiptarë që varroseshin në Siri apo Egjipt, në kohën e Perandorisë Osmane, pa nam dhe pa nishan. Po të mos ishin Elmi Reçica dhe Jahja Lluka, të pamet kishin vendosur t’i bënin në ndonjë kafene të lagjes! Gjatë ceremonisë së varrimit, në atë platonë e improvizuar, së paku 80% ishin që nuk e meritonin të ishin aty, jo që të kishin përkrahur apo respektuar ndonjëherë por, në çdo rast të sulmonin. Çfarë turpi! Ne, si popull ramë në provim ditën e varrimit Tënd, Baca Adem. Nguteshim të përfundojë sa më shpejtë e mos ta lëshojmë kohën për një makiato! Çfarë mungese respekti! E pastaj habitemi pse na erdhën punët si na erdhën!
Më 28 Nëntor të çdo viti, edhe shqiptarët si dhe kosovarët me prejardhje shqiptare bëhen patriotë. Së paku një ditë brenda një viti! Këtë vit u mbajt mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës në Tiranë sepse ishte 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Kësaj mbledhje i parapriu një prelud me valle shqiptare dhe me një ikonografi kombëtare, sikur në fshatrat e Potemkinit. Disi m’u kthye në kujtesë një rast kur Mihajllo Zviceri dhe Hajredin Hoxha ishin në Tiranë në stadiumin “Qemal Stafa” ku, për hirë të delegacionit nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve kishte përgatitur një program me artistë më të merituar të kohës si dhe valltarët e famshëm në me krye Hajredin Çelikun. Hajredini nga Kosova, i mësuar me vallet jugosllave sikur: “Shiri kollo, shiri kollo, kozaraçko llollo – luaje vallen, luaje vallen, bandill nga Kozara…” i entuziasmuar, për çastin, i drejtohet Mihajllo Zvicerit me fjalët: “Çohu bre Mihajllo ta luajmë uzhiçko kollon – vallen e uzhices…”. Disi kështu vepruan një numër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ishin vazhdimësi e paraardhësve politikë dhe biologjikë, me mendësi jugosllave. O Baca Adem, ishin veshur si për Halloween, shtriheshin në ulëse sikur veziret e Turqisë, me telefona para hundëve duke bërë selfie dhe duke bërë fotografi me të Atin e të Birin. Fitohej përshtypja se ishin ringjallur Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë të datës 28 Nëntor 1912! Ani kur filluan të flasin, nuk e dije se kush ishte Ismail Qemal më shumë se tjetri. O Bacë, problemin kryesor e kishin t’i lexonin tekstet që ua kishin shkruar të tjerët. Po të mos ishte një deputet turk, Enis Kervan që e pati fjalimin më të mirë dhe që e lexoi në gjuhën shqipe më mirë se vet shqiptarët, horën e dynjasë ishim bërë! U përmendën emra dhe mbiemra të figurave të merituara dhe aspak të merituara, si nga folësit shqiptarë e që shquheshin për gojëtari ashtu edhe nga kosovarët me prejardhje shqiptare, mirëpo vetëm Glauk Bin Sherifi ta përmendi emrin duke të marrë shembull për atdhedashuri. Albin Bin Zaimi përmendi shumë emra por se nuk iu kujtove në ato çaste! Duket se angazhimet dhe “përgjegjësitë” e mëdha e kanë bërë një humbameno. Edi Rama i pati dy pika referuese për lirinë e Kosovës e që shkojnë bashkë sikur nata me ditën, atë të Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit! Nuk jam i sigurt se ka dëgjuar ndonjëherë për Adem Demaçin! Edi Rama, si artist mbi trapez, po ekuilibron – manipulon për mrekulli, kurdo që ka nevojë me Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin! Këtë, në Kosovë po mundohet ta bëjë Albin bin Zaimi duke vizituar, në baza të rregullta varrin ku është Rugova, bashkë me Vojsa Osmanin, ndërsa, gjatë kthimit marrin në thua në vendin ku prehesh në përjetësi, Baca Adem. Mbase që terreni është gunga – gunga! Edhe në Kosovë nuk kam dëgjuar, përveç shokëve të sinqertë dhe besnikë, të të përmendin përveç kur shënohet përvjetori i kalimi Tënd në Përjetësi! Edhe aty shfaqin ndjenja të rreme, falsitet i gërditshëm!
Në Lagjen Kodra e Trimave u përurua Pllaka Përkujtimore në shtëpinë ku jetoi dhe veproi, Heroi i Kombit Shqiptar, Xhavit Haziri. Pati njerëz mjaftueshëm, shokë të Xhavitit, ish të burgosur politikë, idealistë që i mbijetuan materializmit, ish luftëtarë të UÇK-së dhe disa shokë që i pate besnikë gjatë tërë kohës. As aty askush nuk e përmendi emrin dhe veprën tënde që ishte frymëzim për të gjithë idealistët që e donin lirinë sikur që ishte edhe vet Xhavit Haziri, tash në piedestalin e Lavdisë së Përjetshme. Bacë, në atë kohë, unë si sekretar i KMDLNj-së, me rekomandimin tënd dhe të Nuhiut e pranuam Xhavitin në punë për t’i siguruar kushte dhe mundësi që aktivitetin ilegal, si njëri ndër kryesorët në UÇK, ta legalizojë përmes angazhimit të rregulltë në KMDLNj. Askush nuk e përmendi as këtë! Nuhi Ahmeti e kishte ruajtur flamurin kombëtar 40 vite, flamurin para të cilit ishte betuar Xhavit Haziri dhe këtë flamur e shpalosi Avdullah Dërguti, i preferuari i Bacës Adem për aktivitete të caktuara, shumë specifike. Kishte përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Ilirida. Përfundoi edhe kjo punë!
Lëmshi po ç’thurret duke na u bërë lak në fyt: Ata që e sollën lirinë sot janë në Burgun e Hagës. Ata që e bënë shtetin, kështu si është po mbahen si pengje në Burgun e Hagës për kënaqësi të disa partive dhe politikanëve që janë në pushtet dhe opozitë! Patriotët e vërtetë sot në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë, Mal të Zi dhe në diasporë i kanë tri pika referuese për pelegrinazh; Vlorën në Shqipëri, Prekazin në Kosovë dhe Burgun në Hagë. Patriotët në Kosovë sot janë pakicë absolute, minoritet, me një fjalë. Jemi shndërruar thuaja në jashtëtokësorë, ashtu na konsiderojnë disa në pushtet dhe në opozitë! Na kërcënojnë pse ende jemi shqiptarë dhe nuk e pranojmë një krijesë parapolitike si janë kosovarët! Adem Demaçin mundohen ta varrosin shtatë pashë nën dhe kurse Adem Jasharin e përdorin si joker kur kanë nevoja politike për marrje të pushtetit. Thonë se ishte koha për një president nga familja Jashari kurse e zgjedhin Vojsa Osmanin. Ani, flitet se Vojsa Osmani është nga trungu i Adem Jasharit, dikund brezi i 137-të, sikur që jam unë me Ernest Heminguejn! Prej politikanëve madhorë, burrështetasit e burgosur në Hagë janë vizituar, kryesisht nga ish politikanë të rangut të lartë nga Kosova, Shqipëria dhe viset tjera shqiptare. Një pjesë e tyre e kishin vizituar edhe Zelenskin në Ukrainë. Nga aktualët në Kosovë, vetëm Glauk Bin Sherif i vizitoi të syrgjyrosurit e Hagës pas së cilës e shkrepi një plumb kundër Gjykatës por se duket ka harruar ta rimbushë armën, i ka mbetur vetëm si trofe i një vizite të paralajmëruar, për t’i hapur rrugë vizitës së Albin bin Zaimit. Duket se, më në fund edhe Albin Bin Zaim do t’i vizitojë pengjet e Hagës dhe, sipas informatave që i kam edhe pengjet e Hagës do të mirëpresin këtë vizitë! Dhe këtu merr fund burrëria!
Po, baca Adem sigurisht se të intereson si i kemi punët në Kosovë?! Llugë dhe lëmsh! Vuçkoja po luan në tokën e Kosovës, me mallë të Kosovës sikur të ishte në Shumadi apo Kragujevc. Targat ilegale po e vazhdojnë rrugëtimin deri në kohën kur duan serbët si dhe ndërkombëtarët. U luajtë një lojë e ndyrë me targa në emër të shtrirjes së sovranitetit. Kurse, në fakt aty u shtri një sofrabez mbi të cilën do të vendoset Zajebnica si pjesë e një propozimi franko – gjerman ku ka Zajebnicë por nuk ka njohje reciproke duke lënë se pas 10 vjetëve, nëse shelnja bënë rrush, Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur dhe sovrane. Serbët e veriut në polici, doganë, gjyqësi, administratë etj. dhanë dorëheqje duke nënshkruar kontrata me Vuçiqin, Daçiqin dhe Petkoviqin. Hynë e dalin sikur të ishin në bahqen e babës Zhivadin të Nishit kurse ne, ngaq lakmia për të mbetur dhe ardhur në pushtet dhe për t’ua ngrohur prapanicen ndërkombëtarëve, pranojmë çdo gjë duke kërkuar rrugë për kthimin e tyre në vendet e punës ndonëse, nëse nesër paraqitet nevoja përsëri do t’i lëshojnë vendet e punës për t’u kthyer kur t’iu çohet! Gjermania dhe Franca po na bëjnë presion ta pranojmë propozimin e tyre ndonëse ky propozim, në emër të trojkës negociuese ku ishte edhe Harçenko i Rusisë, i njohur si propozimi i Ishingerit (propozimi i dy gjermanive – dy serbive) ishte refuzuar në mënyrë kategorike nga Të Persekutuarit e Hagës që këmbëngulnin vetëm për Pavarësi, fillimisht e Kushtëzuar! Tash, Albin Bin Zaimi po thotë se ky propozim qenka bazë e mirë ….për çka?! Ky është bulshit propozim që, edhe pas vjetëve dhe pas dhjetë vjetëve tjerë nuk e bënë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran por, me kërthizën e ndrikullave franko – gjermane e lidhë nyje me Serbinë!
Pamja e jashtme do të jetë ashtu si duam ne, përmbajtja do të jetë në kundërshtim me statusin e një shteti të pavarur dhe sovran! I vetmi deri tani Memli Bin Milazimi tha se e ka parë këtë propozim dhe se asnjëri në Kosovë nuk duhet ta parnojë si të tillë! Në Qeverinë Kurti 2 Patriotizmin dhe Atdhedashurinë duhet ta kërkoni me një teleskop sepse kanë mbetur vetëm gjurmët. Edhe disa që e kanë trashëguar një bagazh patriotik këtë e kanë përdorur gjatë fushatës dhe për akomodim në pushtet duke u shndërruar në ndjekës të pashpirtë të kundërshtarëve që nuk pajtohen me halucinacionet e tyre. Kjo Bacë është për fillim, më vonë të shkruaj gjerësisht. Është një i ashtuquajturi Grup Teknik, kryesisht nga mercenarë dhe përfitues të Luftës dhe të Paqes, që marrin rroga 3500 euro për muaj duke i pregatitur materiale Ajnshtajnit të politikës kosovare, me test të IQ, mbi 350, Besnik Muçiverces duke ia fyer thellësisht inteligjencën dhe kontributin e madh kombëtar të pamohueshëm …..për lirinë dhe pavarësinë e Mongolisë! Këtë personalitet parahistorik, Albin Bin Zaimi e ka bërë njeriun kryesor për bisedime për faktin se nuk e flet asnjë fjalë të vetme dhe se, në fund të baladës, ky do të sakrifikohet, pa asnjë mëshirë (edhe nuk meriton mëshirë) duke ia adresuar tërë përgjegjësinë e që realisht nuk e ka. Besnik Muçiverca nuk ka mundësi t’i bartë koçet e Albin Bin Zaimit e as t’i kuptojë skenarët që janë shkruar! Ka harruar ta ndërrojë dioptrinë, mbase!
Albin bin Zaimi është bërë miqësor dhe i afërt me opozitën, jo se ka ndonjë vlerësim apo konsideratë për ta por se i duhet për t’i pastruar rrobat e palara, për ta pranuar propozimin e Trojkës dhe për të fituar kohë deri sa Serbia (kur të bënë shelnja rrush) ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky është edhe misioni i vizitës eventuale në Hagë sepse ka nevojë për përkrahjen e tyre. Vetëvendosje nuk ka problem me LDK-në sepse këta binden (në emër të interesit të shtetit dhe ruajtjes së miqësisë së përjetshme me ndërkombëtarët, me amerikanët në radhë të parë) dhe se LDK-ja nuk ka kapacitet të pengojë zbatimin e marrëveshjes eventuale në terren. Në radhët e PDK-së ka burra dhe gra që kurrë nuk do ta pranojnë një marrëveshje ku nuk ka njohje, kanë trashëgimtarë biologjikë që, në mos si ata, pa asnjë dyshim do ta kundërshtojnë një marrëveshje të tillë. Populli shqiptar, hiç këtu kosovarët me prejardhje shqiptare gjithmonë kanë gjetur mënyrë dhe gatishmëri për të kundërshtuar çdo marrëveshje që është në kundërshtim me intereset kombëtare dhe shtetërore, pa pyetur për çmim që duhet paguar. Kush ngutet, përmutet thotë një urti popullore , që nuk buron nga Emanuel Kant por nga burrat e mençur të Odave Shqiptare prandaj duhet refuzuar këtë presion për nguti që, pa asnjë dyshim është shantazh klasik dhe i pacipë. Sikur që po bëhet loja me liberalizim të vizave, nuk ka targa, nuk ka viza! Nesër e njëjta mund të përsëritet, nuk ka marrëveshje në afat të caktuar dhe ashtu si po imponohet, nuk ka viza! LDK-ja po deklaron se po bëhen gati ta marrin pushtetin por pa opozitën (PDK dhe AAK-në). Duket se paskan vendosur të bëjnë koalicion me LV-në. Vetëm në këtë mënyrë mund ta marrin një copë pushtet, sikur që e ka Lista S ‘Guxo sot!
Është një rregull: kush nuk ka bartë tirqi, nuk ia dinë as rëndësinë e lëmshit, i bërë nga leshi! Ta shohim!