Më 28 shtator na pret një spektakël i boksit në Gjermani, boksierët shqiptarë shprehen optimistë
Më 28 shtator do të organizohet ngjarja e madhe e boksit në Ludwigsburg (Ludvigburg) të Gjermanisë. E në prag të kësaj ngjarjeje, PrimeTime Promotion ka organizuar konferencë për media sot në Prishtinë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin boksierët kryesorë të cilët do të jenë në atë natë, Ardian Krasniqi, Altin Zogaj e Eris Bajra.
Fillimisht, përfaqësuesi për media dhe marketing, Shkodran Arifi i shpalosi detajet e këtij evenimenti. Treshja e boksierëve, Krasniqi, Zogaj e Bajra kërkuan vetëm fitore në natën e 28 shtatorit dhe qëllimi është që ta bëjnë krenar shtetin e Kosovës midis Gjermanisë. Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe Agim Krasniqi, vëllai i Luan Krasniqit, legjendës së boksit shqiptar, i cili tash është duke e stërvitur djalin e tij, Ardianin, njëherësh nip i Luanit. Të tre boksierët kosovarë kundërshtarët e tyre do t’i mësojnë së shpejti. Kjo ngjarje e madhe e boksit do të zhvillohet më 28 shtator në “MHP ARENA” në Ludwigsburg të Gjermanisë.