Më 29 janar do të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

20 janar 2022 | 17:23

Partia Socialdemokrate ka njoftuar se më 29 janar, në orën 14:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti”, do të organizojë  protestë kundër shtrenjtimi të energjisë elektrike.

Në njoftimin për medie, PSD-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në luftimin e kësaj padrejtësie.

“Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, është thënë në njoftimin e PSD-së.

 

Njoftimi i plotë i PSD-së:

Qeveria është rreshtuar me monopolin privat. KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve diciplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet “ku ti marrim paratë për të paguar importin e rrymës”? Por nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve: “me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?”

Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie.

Të shtunën, më 29 janar, në orën 14:00, takohemi në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të protestuar kundër këtij shtrenjtimi të energjisë elektrike.

Këto vendime të gabuara kanë opozitë në këtë vend. Dhe kanë opozitë të madhe. Prandaj ftojmë gjithë opozitën që të bashkohemi në protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptari është huazim deri në fundin e sezonit, mirëpo pa…