Më 29 shtator 2018, tri zhvillime historike për Kosovën, rajonin dhe botën!

02 tetor 2018 | 13:23

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Maskarada në OKB-së, me striptizeten Pacolli në krye: Delegacioni nga Kosova në Kombe të Bashkuara kishte 41 veta në përbërje aq sa nuk ishin të pranishëm as në ditën kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara. Po duket se për botën ishte me rëndësi të veçantë delegacioni nga Kosova, në këtë përbërje dhe në këtë numër. Dhe se ky takim në KB nuk kishte mundësi të mbahej pa delegacionin nga Kosova andaj, për hir të sigurisë dhe paqes globale, janë të papërfillshme shpenzimet e këtij delegacioni sepse, paramendojeni se si do të zhvilloheshin ngjarjet pa formacionin nga Kosova! Realisht, presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Vezulluese e tij, Lartmadhëria e vet, zotëri Hashim Thaçi i Parë, që herët pati angazhuar mesitë, duke paguar një mesitëri të lartë për t’u takuar me Donald Trampin, por se u takua me një Donald tjetër, me Donald Task të BE-së, i cili e “qortoi” për afërsi me bombën nga Kroacia e quajtur Kolinda. Me Donald Trumpin u fotografua për kujtim dhe biografi, pa e ndërruar një fjalë të vetme. Hashimi u takua edhe me Johanes Hanin që po e përkrahë për “korrigjim” të kufijve sikur edhe me kongresmenin Eliot Engel të cilin nuk po e lënë të qetë as në ditët si pensionist. Realisht, Hashim Thaçi, presidenti ynë legjendar, në planin diplomatik pësoi fatin e Titanikut, nuk bëri asgjë dhe nuk e realizoi asnjë takim që do të mbahej mend. Po ta dija se Hashimi do të kënaqej vetëm me një fotografi me presidentin Tramp do ta lusja Kastriotin, fqinjin tim, t’ia mundësoi një kënaqësi të tillë, pa pasur nevojë të bëjë shpenzime të panevojshme aq më parë që kohë më parë Kastrioti, nga Uashingtoni ma pati dërguar një foto me Donald Trampin, ku Kastrioti dukej shumë zanzi krahasuar edhe me Trampin dhe me Hashimin.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në këtë kontekst ishte shumë më i suksesshëm sepse pati takime me njerëz shumë të afërt me presidentin Tramp dhe se nga këto takime pati premtime dhe mbështetje konkrete si për transformimin e FSK-së në forcë mbrojtëse, po ashtu edhe për mosndryshim të kufijve. Uroj të jetë kështu. Kryeministri Haradinaj këto vizita i kaloi pa trauma të mëdha dhe pa pasur nevojë për një pompozitet. Realisht, edhe Ramushi u takua me do kujdestarë me të cilët takohen gjithmonë dhe çdo kund liderët kosovarë kur në takime të rëndësishme ndërkombëtare mbesin të vetmuar.

Po del se “ylli” i kësaj vizite me rëndësi globale ishte Behgjet Pacolli i cili e dorëzoi një raport se paska realizuar mbi 50 takime brenda ndërtesës së OKB-së dhe nga kjo del se ishin dy takime jashtëzakonisht të rëndësishme, ai me presidentin Tramp të cilit Begja, pavarësisht prej traditës fisnike shqiptare, i zuri pritën dhe vetëm mungoi edhe ndërkëmbëza e që ta detyrojë Trampin të ndalet para Begjes, t’ia shtrijë dorën “burrërisht” dhe t’ia bëjë me dije se, jo që nuk e ka harruar, por se për të mendon më shumë se për Melaninë. Pastaj, ishte takimi antologjik me zonjën e “kompletuar” dhe të “nderuar” në Kosovë, duket se Pacolli e ka identifikuar Kosovën me veten e tij, kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila e bëri Begjen gaz të botës duke luajtur koç… me të, kurse Begja, me një dinjitet as të përmasave minimale, jargitej para saj. Realisht, edhe me kryeministrin e Marokut pati një komunikim skandaloz i cili nuk do t’i falej as të ndjerit Sahit Fyellit që bënte muzikë udhëkryqeve të Prishtinës. Prej këtyre 50 takimeve, besoj se Begja i ka llogaritur nja 35 hyrje-dalje në WC-të e Kombeve të Bashkuara, ku është pshurrur light, pas infeksioneve akute të prostatës. Po të ishte një situatë normale, Begja as në ëndërr nuk do të bëhej ministër për Punë të Jashtme ose, pas skandaleve në KB, edhe sa të ishte në WC do të duhej të shkarkohej duke mos ia paguar as biletën e kthimit në Kosovë. Kështu, po na tregon përralla duke na teshur prapanicën se ka shpenzuar kohë, mund dhe mjete vetjake për ta bindur një superfuqi botërore si Burkina Faso që të mos e kthejë mbrapsht njohjen e Kosovës në vend se ta kryejë punën për çka po keqpërdor mjete të buxhetit të Kosovës, sigurimin e sa më shumë njohjeve e që nuk e ka siguruar asnjë deri më tani. Përveç se ka siguruar mundësi të tjera biznesi për veten dhe kompanitë që i ka, mbi tokë dhe nëntokë! Uroj që këtë kërcënim ndaj Begjes të mos e lexojë prokuroi Rexhë se më çon në fllad sikur Milaimin dhe Shkumbinin. Apo, sigurisht më bën dyshe me Goran Rakiqin, pasi ai e pati një kërcënim bukur të fortë ndaj Hashimit, Abelardit, Shpendit, Rashitit dhe Bedri Hamzës që e kaluan fundjavën në detin (për Kosovën) të Ujman Gazivodës. Se Begja po e shkarkon testosteronin mbi ne impotentët, disi kuptohet, sepse ashtu bëhet biban politik. Po se një djalë i një njeriu që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës e që tani është në shërbim të striptizetës politike Begj-rie Kurcolli duke ia mbuluar, me shumë shkathtësi mbrapshtitë që i bënë! Ndalu pak o Jetlir dhe kujtoje sa shumë mund dhe sakrificë na ka kushtuar që të të quhesh Jetlir! Ose, vazhdoje kështu, deri në theqafje!

Tri zhvillime dhe takime historike dhe potencialisht dramatike:

Takimi apo zhvillimi i parë: Lëvizja Vetëvendosje më 29 shtator 2018 organizoi një protestë krejtësisht paqësore për ta kundërshtuar Hashim Thaçin si kryenegociator, kryegjeodet dhe kryeshef i kadastrës për kufij të Kosovës. Ishte kjo shpatë me dy tehe, aq më parë që LV-ja ishte e vetmuar në këto protesta sa i përket organizimit, përjashtuar këtu deputeten Vjosa Osmani që ishte në protestë dhe deputetin Korab Sejdiu që ishte, gjithashtu, në protestë. “Hasan Prishtina” i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk dukej se ishte aty sikur edhe urryesi i madh i UÇK-së, mjeku “humanist” dhe deputet i partisë me së paku 10 kryetarë, Haxhi Avdyli, nuk u duk fare, në të kundërtën Albin Kurti do t’i përshëndeste me shumë respekt dhe dashuri siç bëri me Vjosën dhe Korabin. Protestat ishin shembullore, në çdo aspekt. Paqësore, si nga ana e protestuesve, po ashtu edhe të policisë që bashkëpunuan shumë mirë. Edhe kërkesat ishin të arsyeshme dhe të drejta dhe pa folklorizëm dhe populizëm sikur që ndodhte më parë. Organizimi ishte shumë i mirë. Realisht kishte rrezik se do të dilte një numër i vogël i protestuesve meqë LV-ja shkonte e vetmuar, mirëpo ishte një vlerësim i drejtë dhe i saktë sepse ishte një kohë dhe çast shumë i përshtatshëm për protesta, për shkak të veprimeve donkishoteske të Hashim Thaçit dhe patericave që e shoqëronin. E dini që, edhe para protestës LV-ja u sulmua se është kundër shtetësisë së Kosovës, kurse Eugjeni shumë Piccola e sulmoi Albinin si të pafytyrë, duke listuar arsyet që ndikojnë drejtpërdrejt në pafytyrësinë e Albinit. Ai që ia ka shkruar atë diagnozë të pafytyrësisë për Albinit zonjës Eugjeni shumë Piccola, dëmin më të madh ia ka bërë pikërisht Eugjenisë dhe jo Albinit. Po e përfundoj me kaq për këtë diversion të moralit, përballë imoralitetit! Në bazë të përvojës “shekullore” në këtë fushë vlerësoj se në protestë ishin midis 35-40 000 qytetarë, por se më së paku kishte protestues nga Prishtina. LV-ja nuk duhet të distancohet nga ata që duan të protestojnë siç ishte rasti me ata që u ndanë nga LV-ja dhe e formuan apo ringjallën PSD-në e Kaçusha Jasharit. Dhe LV-ja duhet ta ketë të qartë se nuk ishin të gjithë protestuesit anëtarë të LV-së. Kjo protestë nuk e krijon asnjë ndryshim nëse nuk formohet një masë kritike që do të ishte në gjendje të bënte presion të përditshëm apo, së paku, të përjavshëm, duke ruajtur apo edhe duke rritur numrin e protestuesve. Nëse në çdo dy muaj bëhen protesta të tilla atëherë, si përgjigje, do ta kenë ekskursionin e Thaçit në Ujman, gjatë protestës tjetër ndoshta në Brezovicë, kurse atë të radhës në Kopaonik por, pa e rrezikuar fare Hashimin e Madh dhe hashimët e vegjël. Kjo protestë kishte publicitet dhe mbulim të madh medial, sikur atij vendor ashtu dhe atij ndërkombëtar. Dikush e konsideron si mangësi dhe mashtrim se protesta u bë në mbrojtje të Republikës, duke injoruar simbolet e Republikës. Madje edhe Ganja që edhe çorapet e dimrit e mos të flasë të verës i ka kuq e zi, po e sulmon Albinin dhe LV-në për shkak të injorimit të simboleve të Republikës.

Zhvillimi apo takimi i dytë: Hashim Thaçi po i hedh zaret e fundit, jo për ta kaluar Rubikonin, por të mos mbytet në të. Të dielën para protestave të organizuara nga LV-ja fillimisht shkoi në FSK, ku si komandant suprem i forcave të armatosura e bëri mobilizimin e përgjithshëm, duke i vënë në gjendje gatishmërie dhe duke e shpallur një gjendje lufte rezervë. Pastaj, së bashku me Abelardin, skajshmërisht të radikalizuar dhe Bedri Hamzën, të shoqëruar nga shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e morën një kombajnë të ujit të cilin e drejtonte Hashimi, si në kohën e të korrave të grurit! Në sfond dëgjohej dueti Abelard dhe Bedri duke kënduar këngën: “Vijnë vaporat moj nënë, përtej detit…” Hashimi tha se kjo ishte një vizitë krejtësisht transparente, e ligjshme si dhe dëshmi e lëvizjes së lirë… me një duzinë policësh të armatosur, sikur Xhejms Bondi. Më shumë kishte policë në eskortën e Hashimit se që kishte policë që mbikëqyrnin protestën e LV-së. Goran Rakiqi, një pion i Marko Gjuriqit, Ivica Daçiqit, Vojisllav Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit e kërcënoi haptas presidentin Thaçi, ministrin Tahiri dhe Hamzën, edhe krerët e Kosovës për siguri, Maxhunin dhe Qalajn, që po e vizitojnë Ujmanin, pa lejen e Serbisë, sikur që Ujmani të ishte pjesë e Serbisë apo Liqeni i Paliqit afër Suboticës e jo pjesë integrale dhe e patjetërsueshme e Kosovës. Ku janë tani prokurorët e Kosovës që nuk merren me deklaratën kërcënuese të Goran Rakiqit në ndërkohë që deputetët Zeka dhe Demalijaj po pshurrin në qyp të burgut për kërcënime beninje krahasuar me këto të Rakiqit?! Pse do të duhej Hashimi apo dikush tjetër të merrte leje nga pizevengët e Serbisë që nuk lanë të zezë pa bërë në Kosovë dhe pse për këtë duhet të merren leje nga KFOR-i apo BE-ja?! Po Hashimi e gjeti një ditë krejtësisht të gabuar për ta vizituar Ujmanin dhe kjo vizitë konsiderohet si përpjekje për ta relativizuar protestën gjithëpopullore të organizuar nga LV-ja. Ky ishte jo gabimi i Thaçit, por përpjekja për manipulim përmes improvizimit në bazë të së cilës e ka marrë, po e mban dhe do të bëjë përpjekje ta mbajë pushtetin edhe në të ardhmen, së paku deri te mesi i vitit 2019, e që nënkupton se lehtësisht mund ta përfundojë mandatin një vit para afatit kushtetues nëse edhe në të ardhmen do të sillet në mënyrë të papërgjegjshme duke konsideruar se shteti (Kosova) jam unë dhe se pas meje vetëm vjen kiameti, disi sikur mbreti Luigj i Francës. Hashim Thaçi duhet të lëshohet në tokë dhe vetëm pasi t’i prekë prapanica në tokën e përgjakur me shekuj të Kosovës, mund të flasë për Kosovën dhe në emër të Kosovës. Nuk mund ta ketë më të afërt Vuçiqin se Albinin e as Daçiqin se komandant Dullën sikur që, në aspektin kombëtar, politik e shtetëror nuk mund ta ketë më të afërt Behgjetin se Behxhetin! Kur t’i kuptojë këto fakte atëherë mund të kthjellet, nëse nuk bëhet vonë! Mbështetja ekskluzivisht te ndërkombëtarët është sikur të mbahesh për degë, mbështetja në popull është sikur të kapesh pas rrënjëve. Hashimi deri më tani po e bën të kundërtën dhe ka mbetur sikur Don Kishoti me Sanço Pançon (Bekimin) dhe për këtë, domosdoshmërisht po e bën luftën kundër mullinjve të erës. Përpjekjet për ta shantazhuar qeverinë Haradinaj me rrëzimin e saj vetëm sa do ta rrënojnë politikisht. Edhe kjo vizitë kishte publicitet të madh medial. Dhe,

Takimi apo zhvillimi i tretë ishte vizita historike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fshatin Burojë, ku u takua me Haxhi Thaçin. Ky takim nuk kishte kurrfarë mbulimi mediatik andaj mendoj se këtu janë rrahur tema të rëndësisë së madhe për Kosovën, rajonin dhe botën! Në mungesë të informatave për këtë takim, u lëshova në spekulime, prandaj me aq edhe po e përfundoj këtë shkrim. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë presidentin tonë që aq shumë e duam, sidomos këta që po e kërkojnë kokën e tij politike! Dhe, jo vetëm politike!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një mungese dyjavore, rikthehet Liga e Kampionëve. Në ndryshim…