Më 30 mars zhvillohet miqësorja Shqipëri-Slloveni
Kombëtarja shqiptare mëson emrin e kundërshtares për një ndeshje miqësore që do të luhet në muajin mars.
Do të jetë Sllovenia ajo që do të përballet me kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja në sfidën që do të luhet në stadiumin ‘Dacia Arena’ të Udines në Friuli. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje me atë Sllovene për zhvillimin e kësaj sfide miqësore që do të luhet në orën 20:45 të datës 30 mars të vitit të ardhshëm.
Data 30 mars është një datë e përcaktuar nga UEFA pasi në këtë periudhë do të luhen edhe sfidat e “play-off”-it të Nations League për një vend në Euro 2020. Kombëtarja shqiptare nuk do të marrë pjesë në evenimentin më të rëndësishëm futbollistik evropian të vitit të ardhshëm, kështu që do të shfrytëzojë këto data për të luajtur miqësore e për të gjetur elementët më të vlefshëm të saj për të ardhmen.