Me 4 tetor 1998 aparatura e radios “Kosova e Lirë” lë Preshevën dhe niset për Kosovë

06 janar 2021 | 01:13

ME 4 TETOR 1998, APARATURA E “RADIOS KOSOVA E LIRË” E LË PRESHEVËN DHE MERR RRUGËN DREJTË KOSOVËS DHE SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS (3)

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Nga fshati Rahovicë, me traktorin e Mustafë Shaqirit, i cili edhe e ngiste, aparatura merr rrugën drejtë Kosovës, duke kaluar Rahovicën, Shoshajën, BrijësBukocit, kodrës së Garës për të bërë një hark nga lagja e Bishtakëve për të rënë tek xhamia e Sllubicës. Ky variant i propozuar nga ReshatAjvazi doli më i arsyeshëm dhe këtë rrugëtim do ta bëjë radioja. Të obliguar me këtë përgjegjësi ishin ushtarët: Mustafë Shaqiri, Reshat Ajvazi, Ardian Mehmeti, Fatmir Arifi, Xhemajl Zeneli dhe Bekim Bajrami.  

Emër për emër, ushtar për ushtar kishin marrë këshillën time, që për ta ishte urdhër i pashkruar. Mbi të gjitha, në mënyrë rigoroze duhej të respektohej disiplina, e ushtarët nuk guxonin të binin në prit, nuk guxonin të vriteshin dhe nuk guxonin të ziheshin rob, puna duhej të kryhet.

Bartja e kësaj aparature për dikë ishte aksioni i parë tek të cilët nuk mund të fshiheshin emocionet e një luftëtari të lirisë. Këto emocione përcilleshin me qëndrimin e tyre krenar, shikim e mprehtë drejtë horizontit nga do të kalonin, rëndësia e përgjegjësisë së aksionit, gatishmëria e sakrifikimit së bashku me këngën në buzët e tyre.

Deri sa në rrethin e Preshevës, rrugëtimin e aparaturës së radios e përcillnin njësitet e UÇK-së që vepronin kryesisht në Preshevë, në komunën e Gjilanit e pritnin poashtu njësitet e UÇK-së të cilët vepronin nën urdhrat e udhëheqjes sonë. Këto njësite ishin lehtë të armatosure dhe kishin zënë të gjitha pikët strategjike të vëzhgimit. Njësiti i udhëhequr nga Elisah Ymeri, me ushtarët: Xhabir Ymeri, Muhamet Ajvazi, Rexhep Ymeri, Selami Sherifi, Besim Ymeri, Shemsedin Rexhepi, me kujdes të veçantë përcillte rrugën që nga gryka e Sllubicës deri në Slivovë afër Mramorit.

Pasi që aparatura kishte marrë rrugën drejtë Kosovës dhe çdo gjë shkonte sipas planifikimit, unë së bashku me Fazli Hajdarin marr anën tjetër të rrugës për të arritur në vendin e caktuar. Pasi kaluam në këmbë Preshevën, ngjitëm rrugët e malit deri te vendi i quajtur “Vaçka” ku na priste “taksi i prishur”. Kaluam Livadhin e Shehut dhe para se të afrohemi në fshatin Buhiq zbresim për të vazhduar në këmbë deri në fsh. Ilincë. Nga aty, Tahir Dalipi me veturën e tij “Golf” na shpie deri në hyrje te fshatit Llovcë për të vazhduar përsëri në këmbë deri në fshatin Pogragjë. 

Në Pogragjë na prisnin njësitet që vepronin në Gjilan dhe me makinën e njërit njësit na dërguan te vendi i caktuar ku do të vinin luftëtarët e UCK-së tok me aparaturën e radios nga Presheva. Ne vëzhguam terrenin dhe nuk ndeshëm me asnjë gjë të dyshimtë. Deri këtu puna mund të kryhej me sukses.

unknown.jpgIslam Berisha ishte i përpiktë. Ai vie në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Posedonte një “Llada Niva” ngjyrë të kaltër. Po me këtë makinë, ai ishte përkujdesur për ekzistencën e familjes së tij dhe, tani e kishte lënë në dispozicion të nevojave të UÇK-së. Aparatura ngarkohet në automjetin e Islamit, ora kishte shkuar në 23.00.


Unë, marr vendim që Islamin ta shoqëroj Fazli Hajdari. Rruga që vazhdon ta ndjek Islam Berisha me aparaturën e radios kalon fshatin Pogragjë, Uglardhe në hyrje të Malishevës kthen për Velekincë, për të kaluar shumë afër kazermës ushtarake serbe ne vendin e quajtur Zabeli i Sahit Agës në Gjilan. Sa më pran armikut, aq më lehtë kryhen punët ilegale, sepse serbët nuk do të mendonin që pikërisht afër kazermës së tyre do të kalonte një teknikë e tillë që më vonë do të emetoj fuqishëm zërin e luftës çlirimtare. Nga këndej rruga vazhdon drejt Livoçit të Poshtëm, fshatit Pasjak që shtrihet në të dal të Gjilanit, magjistralen Gjilan – Prishtinë, kalon Llabjanin dhe në Slivovë kthen rrugën në drejtim të Marecit, për të gjarpëruar rrugëve të malit dhe për të rënë në magjistralen Prishtinë – Leskoc në fshatin Keçekollë, te sharra e drurëve, pronë e Ibrahim Osmanit i cili edhe duhej ta pranonte aparaturën. Magjistralen Gjilan – Llabjan – Slivovë atë natë do ta kontrollonin tri vetura të njësiteve të UÇK-së nga Gjilani, lehtë të armatosura dhe  të cilat tashmë kishin krijuar përvojën e vëzhgimit të tillë si dhe kishin fituar guximin e përballjes eventuale me forcat serbe.

Islam Berisha nga Slivova do të kalonte nëpër terrenin a Marecit ku po ashtu tanimë ishin njësitet e para të UÇK-së Nënzonës Operative të Karadakut. Të papriturat mund të ndodhin, por ne konsideronim se aty futej në tampon zonë, ku  UÇK-ja akoma nuk ishte konsoliduar dhe nuk ishte bërë publike por as forcat serbe nuk e kontrollonin dot. Këtë vakuum, Islam Berisha do të dinte më së miri ta shfrytëzonte, duke e vërë këtë shërbim në të mirë të luftës çlirimtare dhe çështjes kombëtare të përgjithësi.

Fund.

Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i LPK- KRR Preshevë,  udhëheqës i Zonës Tretë, vonë Batalioni Mbështetës i SHP UÇK- “Korridori i Furnizimit”, Nënkryetar dhe zëdhënës i Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur, Genta Ismajli është shumë aktive në rrjetet…