Më 5 mars mbahet manifestimi “Epopeja e UÇK-së”
Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë, më 5 mars, në orën 12:00, do të mbahet manifestimi qendror Parada e FSK-së, për nder të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri.
Në manifestim do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ministra dhe zëvendësministra në detyrë, stafi diplomatik, përfaqësues të KFOR-it, Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT), atashe ushtarakë, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarë dhe oficerë të FSK-së.
Fjalë rasti në këtë manifestim do të mbajë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kryeministri Avdullah Hoti, përfaqësuesi i familjes Jashari dhe i veteranëve të luftës së UÇK-së.
Manifestimi për “Epopenë e UÇK-së” mbahet nën organizimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës. Manifestimi “Epopeja e UÇK-së” kësaj radhe do të jetë manifestim i tipit të mbyllur për shkak të pandemisë Covid-19.