Më 6 prill zgjedhjet për kryetar të FFK-së
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje është vendosur që zgjedhjet për kryetar të FFK-së të mbahen më 6 prill, ndërsa për vendin dhe kohën e mbajtjes delegatët do të njoftohen në ditët në vazhdim.
“Në këtë mbledhje KE vendosi që në bazë të statutit dhe rregullores t’i shpallë zgjedhjet për kryetar. Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për kryetar të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë. Delegatët do të njoftohen në ditët në vazhdim për orën dhe vendin e mbajtjes së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Përveç kryetarit aktual, Agim Ademit, pozitën e të parit të futbollit e synojnë edhe Arianit Ahmeti, Remzi Ejupi, Gramoz Vokrri, Bekim Shotani dhe Nexhat Dumnica. Po për këtë pozitë është lakuar edhe emri i Afërdita Fazlijes, ish-përzgjedhëse e përfaqësueses së femrave.