Më 6 tetor qytetarët do të vendosin për Kosovën 100 % shtet
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmeti Isufi, ka shprehur optimizëm se koalicioni parazgjedhor AAK-PSD do të fitojë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se bazohet në vendimet e qeverisë Haradinaj për mbrojtjen e shtetit të Kosovës.
“Qeveria Haradinaj për 18 muaj ka marrë vendime për të cilat nuk janë marrë për 20 vjet nga partitë e tjera që kanë qenë në pushtet. Këto vendime kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me ndryshimin e gjendjes së Kosovës në planin e brendshëm duke u nisur nga prodhuesit vendorë, sidomos me vënien e taksës. Edhe në planin e jashtëm, duke e paraqitur Kosovën si shtet me dinjitet, duke iu kundërvënë Serbisë në angazhimet e saj kundër Kosovës, si dhe duke ngritur nivelin e paraqitjes së Kosovës në planin ndërkombëtar, në Berlin e në Paris, në veçanti duke i treguar Brukselit se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë”, është shprehur Isufi.
Ai ka deklaruar se koalicioni AAK-PSD është duke u mirëpritur në opinion meqë, sipas Isufit, vendimet e qeverisë Haradinaj dhe konstruktivitetit i PSD-së janë përputhur me interesat e qytetarëve të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se pas zgjedhjeve partneritet do të bëjnë me ato parti që nuk janë të gatshme ta heqin taksën dhe në dialog me Serbinë shkojnë vetëm për njohje reciproke.
“Është e vërtetë se me ndonjë parti politike kemi afërsi më të madhe, me ndonjë kemi edhe dallime, megjithatë do të vihet në pyetje çështja e interesit të Kosovës. Ai partner që do ta mbrojë programin tonë dhe interesat të cilat i kemi paraqitur publikisht dhe të cilat do t’i shpalosim edhe në fushatën zgjedhore do të jemi me të. Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë se në dialog shkohet për njohje reciproke. Pa e ofruar Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës ne nuk kemi çfarë të lypim në dialog për tema të brendshme siç ka ndodhur më herët. Tani dialogu duhet të jetë për njohje reciproke dhe për ofrimin e fqinjësisë së mirë”, ka theksuar Isufi.
“Epoka e re”: Z. Isufi, duke pasur parasysh fushatën e deritanishme, si po pritet në elektorat koalicioni AAK – PSD?
Isufi: Në opinion koalicioni parazgjedhor AAK – PSD është pritur mjaft mirë sepse është një angazhim i të gjitha strukturave tona për të qenë koalicion fitues duke marrë parasysh vendimet e qeverisë Haradinaj dhe konstruktivitetin e PSD-ja me disa nisma të ndërmarra në Kuvendin e Kosovës. Vendimet e qeverisë dhe konstruktivitetit i PSD-së janë përputhur me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Pse mendoni se vendimet që janë marrë do t’ju kthehen në vota më 6 tetor?
Isufi: Sepse Qeveria Haradinaj për 18 muaj ka marrë vendime për të cilat nuk janë marrë për 20 vjet nga partitë e tjera që kanë qenë në pushtet. Këto vendime kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me ndryshimin e gjendjes së Kosovës në planin e brendshëm duke u nisur nga prodhuesit vendorë, sidomos me vënien e taksës. Po ashtu, edhe në planin e jashtëm, duke e paraqitur Kosovën si shtet me dinjitet, duke iu kundërvënë Serbisë në angazhimet e saj kundër Kosovës, si dhe duke ngritur nivelin e paraqitjes së Kosovës në planin ndërkombëtar, në Berlin e në Paris, në veçanti duke i treguar Brukselit se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej këtyre të mirave që ju po i përmendi, kryeministri Haradinaj ka bërë edhe disa veprime që nuk janë mirëpritur nga qytetarët, siç ka qenë vendimi për rritje të pagës vetvetes, falja e borxhit për ambalazhuesit e ujit, punësimet familjare etj. A mund të kenë efekt negativ në elektorat këto vendime?
Isufi: Vendimet e rëndësishme për Kosovën, siç është themelimi i ushtrisë, Ligji për Pagat, taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, statuti i ‘Trepçës’, si dhe moslejimi i ndarjes së Kosovës, konsideroj se janë vendime kapitale krahasuar me ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë në kuadër të qeverisë. Haradinaj ka marrë vendime kombëtare por, natyrisht, edhe mund të ketë ndonjë gabim, por që nuk është në nivelin që ka cenuar interesat e Kosovës. Përkundrazi, qeveria Haradinaj ka ngritur nivelin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
“Epoka e re”: Përveç atyre çka keni bërë, çfarë oferte konkrete po u ofroni qytetarëve për të ardhmen?
Isufi: Po e shohim interesimin e qytetarëve, sidomos të shumë personaliteteve të cilat çdo ditë po i bashkohen AAK-së, duke besuar në vizionin, programin dhe lidershipin e z. Haradinaj si kryeministër dhe të z. Ahmetit si kryetar i Prishtinës. Pas mbylljes së temave të cilat e kanë dëmtuar Kosovën, po hapim tema të cilat janë për prosperitetin e Kosovës dhe që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, përmirësimin e gjendjes në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në rini, në sport, në investime në bujqësi, sidomos për heqjen e disa taksave të cilat u janë vënë më herët kompanive të ndryshme dhe prodhuesve vendorë. Do ta bëjmë lehtësimin në taksa dhe në disa elemente administrative të cilat kanë qenë burokratike e që do ta mundësojnë kthimin e prodhimit të Kosovës dhe shtimin e vendeve të reja të punës.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet reale nga zgjedhjet e 6 tetorit sepse të gjitha subjektet politike dhe koalicionet parazgjedhore po thonë se do të fitojnë?
Isufi: Pritja reale është fitorja e koalicionit AAK – PSD dhe këtë e bazojmë pikërisht në interesat e qytetarëve të Kosovës për mbrojtjen e shtetit të Kosovës.
“Epoka e re”: Në rast se i fitoni zgjedhjet, me kënd mendoni të bashkëqeverisni?
Isufi: Qytetarët më 6 tetor do të vendosin për Kosovën që të jetë shtet qind për qind në territorin e saj, që të jetë shtet i dinjitetshëm, i vendosur për të ecur si të gjitha shtetet e tjera, apo të lejojnë që Kosova të mbetet në dorën e atyre që do ta heqin taksën dhe do të shkojnë në dialog pa kokë siç kanë vepruar deri tani duke e nëpërkëmbur interesin e shtetit? Qytetarët do ta ndajnë mendjen duke qenë të vetëdijshëm se tani e kanë rastin të vendosin për një referendum i cili do të jetë në interes të tyre dhe të shtetit. Sa i përket partneritetit qeverisës do t’i shohim partitë të cilat nuk janë të gatshme ta heqin taksën, nuk do të jenë të gatshme ta ulin nivelin shtetëror të Kosovës si dhe nuk do t’i bëjnë dëm Kosovës.
“Epoka e re”: A keni vija të kuqe për partneren e deritanishme, PDK-në?
Isufi: Është e vërtetë se me ndonjë parti politike kemi afërsi më të madhe, me ndonjë kemi edhe dallime, megjithatë do të vihet në pyetje çështja e interesit të Kosovës. Ai partner që do ta mbrojë programin tonë dhe interesat të cilat i kemi paraqitur publikisht dhe të cilat do t’i shpalosim edhe në fushatën zgjedhore do të jemi me të.
“Epoka e re”: Detyra e parë e qeverisë së re do të jetë dialogu me Serbinë. Si do të jetë ecuria e këtij procesi në qeverisjen e koalicionit AAK – PSD?
Isufi: Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë se në dialog shkohet për njohje reciproke. Pa e ofruar Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës ne nuk kemi çfarë të lypim në dialog për tema të brendshme siç ka ndodhur më herët. Tani dialogu duhet të jetë për njohje reciproke dhe për ofrimin e fqinjësisë së mirë.
“Epoka e re”: ShBA-ja dhe Quinti kanë kërkuar urgjentisht të rifillojë ky proces, por fillimisht kërkojnë heqjen e taksës. Si do t’ia bëni?
Isufi: Bashkësia ndërkombëtare ka ofruar dhe e mbështet një marrëveshje ligjore e cila e obligon Serbinë ta njohë Kosovën si shtet dhe të njëjtën kërkesë e kemi edhe ne, prandaj taksa hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Jemi optimistë për realizimin e së drejtës së Kosovës për të qenë e njohur nga Serbia me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj në këto relacione jemi marrë vesh me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo do të ndodhë.
Shqipe HETEMI