Më 7 korrik Kuvendi diskuton për marrëveshjen e Uashingtonit
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka vendosur që seanca e rregullt të mbahet më 7 korrik 2021, në orën 10:00.
Kjo seancë do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.
Pas këtyre pikave, Kryesia ka vendosur që pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim- rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
Seanca e rregullt do të vijojë me debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, sipas propozimit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Pas debatit parlamentar, seanca do t’i vijojë punimet me shqyrtimin e Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020, shqyrtimin e Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.
Në rend dite, Kryesia ka vendosur edhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Po ashtu, Kryesia ka vendosur që të fus në rend dite për këtë seancë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit Rregullativ të Ujit.
Kryesia, në mbledhjen e se enjten, ndër tjera ka vendosur që të formojë një grup punues për përgatitjet në lidhje me shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.