Më 8 shkurt Shqipëria mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve
Pasi ka njohur kundërshtarët në finalet e Evropianit “Gjermania 2024”, Shqipëria më 8 shkurt 2024 në Paris, do t’i mësojë edhe rivalët për sezonin e ri të UEFA Nations League (Liga e Kombeve) 2024-2025, i katërti në histori.
Shqipëria ndodhet në Ligën B në vazon e tretë dhe në të njëjtin grup me kuqezinjtë janë, Sllovenia, Irlanda dhe Mali i Zi. Me këta kundërshtarë, Shqipëria nuk do të përballet këtë edicion.
Kundërshtarët e tjerë të Ligës B, që priten të jenë edhe kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në Ligën e Kombeve janë të ndarë në tre vazo të tjera me nga katër skuadra secila, ku në vazon e parë gjenden: Austria, Çekia, Angli dhe Uellsi. Në vazon e dytë janë: Finlanda, Ukraina, Islanda dhe Norvegjia ndërsa në vazon e katërt gjenden ekipe si: Gjeorgjia, Greqia, Turqia dhe Kazakistani.
Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë në shtator të këtij viti, ku Shqipëria do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në tetor do të luhen dy ndeshjet e tjera dhe në muajin nëntor do të mbyllet gjithçka me dy sfidat e fundit të grupit.
Kompeticioni i Nations League ka filluar për herë të parë në sezonin 2018-2019. Shqipëria në dy sezonet e para ka garuar në Ligën C dhe pas suksesit të arritur në sezonin 2020-2021 duke u renditur në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C, ka avancuar në Ligën B. Edhe këtë sezon kuqezinjtë ndodhen në Ligën B, teksa synimi është kalimi në Ligën A.
Kalendari:
Ndeshja 1 – 5-7 shtator 2024
Ndeshja 2 – 8-10 shtator 2024
Ndeshja 3 – 10-12 tetor 2024
Ndeshja 4 – 13-15 tetor 2024
Ndeshja 5 – 14-16 nëntor 2024
Ndeshja 6 – 17-19 nëntor 2024