Me anë të një video të re propagandistike, VV-ja mohon aferën për rezervat shtetërore

28 gusht 2023 | 21:00

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një tjetër video përmes së cilës ka tentuar ta hedhë poshtë aferën me rezerva shtetërore duke u fokusuar vetëm te ideja që nga viti 2019, deri në vitin 2023, rezervat shtetërore janë rritur për 25 milionë euro.

Në këtë video thuhet se të gjitha zhvillimet që i ka sjellë Qeveria Kurti, nuk iu pëlqyen “humbësve dhe zhvatësve të këtij vendi”, duke iu referuar liderëve opozitarë – Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut, dhe Ramush Haradinajt, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Hodhën në ajër ide imagjinare për afera gruri, afera vaji, afera martini, afera këso e aso, dhe kur panë që asgjë s’po ngjitet, dolën me audioinçizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë nëpër institucione”, thuhet në video.

“Asnjë provë a dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lagë fytin si qeverisjet e kaluara”.

Sipas LVV-së, këta të fundit po e përdorin Prokurorinë Speciale për të sulmuar pushtetin, për çka edhe ka shtyer Qeverinë Kurti që të nisë një fushatë kundër Prokurorisë.

Tutje, LVV u krenua edhe me 400 mijë vende aktive të punës, 40 mijë prej tyre që thonë se u hapën nga ky pushtet.

Më 18 gusht, Prokuroria Speciale kreu bastisje duke arrestuar Ridvan Muharremin, i njohur për afërsinë e tij me kryeministrin Kurti si dhe dy zyrtarë të tjerë të MINT, të akuzuar për dallavere me rezerva shtetërore.

Ndaj tyre është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjyqi ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, do të fillojë zyrtarisht…