Dëmtohet largpërçuesi që furnizon 2 000 familje me energji elektrike në Vushtrri
KEDS-i ka njoftuar se furnizimi me energji elektrike është stabil dhe pa ndërprerje, pos në Istog, ku ka prishje si pasojë e erërave të forta.
Ekipet janë në terren dhe duke i sanuar ato në kohën më të shkurtër të mundshme.
“Por, një ngjarje aspak e këndshme ka ndodhur në Nadakovc të Vushtrrisë, e cila e ka fillin dy ditë para Vitit të Ri. Me 29 dhjetor, persona të pandërgjegjshëm kanë gjuajtur me armë në një shtyllë metalike të tensionit të lartë. Ata kanë shkrepur rreth 15 plumba, gjysma nga të cilët kanë përfunduar në kabllot e energjisë elektrike, ndërsa gjysma tjetër në një tabelë për tregim të rrezikut, të cilën duket se e kanë përdorur si tabelë qitjeje”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
Sipas këtij njoftimi, kjo ka lënë për një kohë rreth 2 000 familje të asaj ane pa energji elektrike, pasi ishte goditur Largpërçuesi Maxhunaj. “Fatmirësisht kishte kapacitete të lira dhe mundësi të lidhjes së konsumatorëve në Largpërçuesin tjetër, atë të Nadakovcit. Prishje të tilla, pos që paraqesin akte të shëmtuara, janë shumë të vështira edhe të identifikohen. Kjo, pasi largpërçuesit janë me dhjetëra kilometra të gjatë dhe depërtimi i plumbave është bërë në një hapësirë të vogël dhe të ngushtë”, është theksuar në njoftimin e KEDS-it.
Sipas këtij njoftimi, ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë arritur tek sot ta identifikojnë prishjen dhe ta sanojnë menjëherë ata.
“Po të mos ekzistonte mundësia alternative, akte të tilla do t’i linin pa energji elektrike për pesë ditë me radhe rreth 10 mijë banorë, pasi dalja e Maxhunajve është ndër më të mëdhatë në Vushtrri. Në këto rrethana, apelojmë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes ndaj akteve të tilla dhe të lajmërojnë menjëherë ekipet e KEDS-it dhe organet e rëndit”, është bërë me dije në njoftimin e KEDS-it.
/Epoka e re/