Me asociacionin nuk na duhet njohja nga Serbia
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur sërish qëndrimin e tij kundër themelimit të Asociacionit, duke thënë se në këmbim të kësaj nuk na duhet as njohja nga Serbia.
“Jemi në një pozitë kur shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në konferencë me kryeministrin tonë, Albin Kurti, fjalën e parë e thotë, si në formë të presionit, që ne as nuk mund të ecim tutje pa e zbatuar ju [Kosova] Zajednicën. Qasja e Serbisë për Asociacionin është që për ato që kemi nënshkruar, ne jemi në borxh dhe për të mbërritur në zero dhe sipas tyre për të qenë partnerë kredibilë ne duhet me bë Zajednicën dhe ata thonë bile me kompetenca ekzekutive e pastaj kalojmë dhe i hapim temat a është e mundur një marrëveshje për njohje a jo. Me të [Asociacionin] nuk na duhet as njohja”.
“Strukturat që do të krijohen do të rrisin autonominë e Zajednicës dhe jo sovranitetin e Kosovës”, tha Konjufca.
Konjufca, në “Rubikon”, deklaroi se askush nga Bashkimi Evropian e as Borrell nuk duhet t’i bëjë presion Kosovës për Asociacionin.
“Serbia atë marrëveshje e konsideron si marrëveshje dakordësie që e ka bërë kinse prej Kushtetutës së vet me një provincë të vetën, sipas mendimit të tyre. Kjo problematikë nuk e ka kornizën e qartë të marrëveshjes ndërkombëtare dhe kurrkush s’e ka të drejtën me na bo presion nga Bashkimi Evropian dhe as Borrelli që e bën këtë presion që Kosova po bën gabim që s’po e respekton këtë marrëveshje”, tha Konjufca.