Me Beligard, kurrë jo; me Shqipëri, sot

22 dhjetor 2022 | 16:37

Bisedë me Hysen Tërpezën (4) 

Rugova, qysh e ka sabotuar luftën, edhe tash po bën ashtu?

– Po unë, pse po flas? Tani unë e di kush e pruri Rugovën! E kam marrë vesh krejt. Edhe ti e di. Këta që nuk e humbën asnjë mashkull, që enden andej e këndej, u bënë milionerë. Këtij nuk i ka hup as një pulë.

Po gabojmë një gjë. Duhet të vendoset disiplinë. Mos të vriten burra e gra e ta prishim shtëpinë.

 Po, shiko, axha Hysen. Këto që po ndodhin, që po i dëgjon, kanë hyrë prej Shqipërie. Mafia shqiptare e ka pasur Gjermaninë në dorë, edhe Bratisllavën në dorë?

– S’po mundem unë, bre! Unë të njoh ty, Sami. Të njoh që digjesh flakë për patriotizëm. Një fjalë po ta them: unë po qëndroj hala. Ja sot, ja kurrë! Amerika nuk thotë mos e formoni qeverinë.

 Po i ka thirrur atje Amerika…

– U kam thënë edhe unë, bëhuni bashkë.

 Amerikanët u thonë bëhuni unikë.

– Si shkoi Ollbrajti, si shkoi ky, ai po do ta bëjë Shqipëri krejt. Tash gjashtë muaj, këta nuk bëjnë asgjë. Vetë Rugova i ka fajet. Amerika i ka thirrur. Në Amerikë kanë shkuar. Rugova nuk u shkoi atje hiç. Kanë shkuar do të LDK-së. Ata i ka thirrur ai Instituti për Paqe. U ka thanë të bëhet një tryezë e rrumbullakët. U çua ai amerikani e foli, e ky Rugova nuk u ka dalë të bisedojë. Thjesht është duke e shantazhuar luftën. Qëllimi i tij është që shqiptarët të mos jenë të një fjale. Të thotë vetë i kemi dy qeveri. Por, ashtu s’po ta pranojë asnjërën. Qe gjashtë muaj që jemi, Kosova nuk ka qeveri as ligje. Atë Rugovën e kam frikë, se asht dorë e shkaut!

 Atij Franca i ka dhënë më së shumti shpërblime…

– Po, po. Franca ia ka qitur librin frëngjisht Rugovës. Kush e ka paguar ma shumë se Franca? Franca ka bërë shantazh. E qitën amerikanët në senat. Diversion në mesin e NATO-s ka bërë. Ajo ka penguar NATO-n për t’i sulmuar pikat kryesore të ushtrisë serbe. Vetë Franca, mike e vjetër e Serbisë.

I kam do shenja (mirënjohje) që m’i ka dhuruar hallku. Ai i ke parë?

Shqipëria i pëlqen Amerikës. Se po sigurohet kufiri, a po e di. Profesor Abdi Baleta ma ka çuar një shenjë. Ai ka qenë ambasador në kohën e Enverit. Ai i ditke punët e mia krejt.

 

Rugova s’ish mirë as me intelektualët e Kosovës, as me studentët e Kosovës, as me rininë, as me partitë e tjera të Kosovës. As me të burgosnit politikë nuk ka kaluar mirë. Nuk ka kaluar mirë as me Sali Berishën. Kështu shkruan në gazetën Zëri, Hydajet Hyseni.

– (Qeshet Hyseni) Gazeta a?

 Mirë, as para luftës, as mbas luftës hiç! O Axha Hysen, ti po thua se nuk ka dalë të shkojë te familja e Adem Jasharit. A e ke dëgjuar ti ndonjëherë që ia ka zënë goja fjalën UÇK?

– Jo, kurrë, jo!

 Beogradi bile thotë takozvana (e ashtuquajtura) OVK-a. Edhe Naim Jerliu është në kryesi të LDK-së, edhe ai po thotë UÇK. Edhe Milazim Krasniqi ka qenë me LDK, po u bë me UÇK-në dhe me Hashim Thaçin. Të gjithë po e pranojnë UÇK-në. NATO-ja e Solana – po. Anglia – po, Kuku – po, Toni Bleri – po, Gjermania – Shrëderi – po. Krejt po e pranojnë dhe po e njohin, kurse Rugova s’po e njeh. E unë ua bëra: s’po e njeh edhe Beligradi edhe Moska, edhe Athina! Po ky, çka ka se? Atëherë ky qenka me ta?

– S’ka fjalë! Ai është duke e luajtur një lojë. Kam thënë edhe më parë. E kam provuar. Po të them edhe ty. Rrotkopuk je edhe ti. I merr vesh të tëra. Më fal! Nuk u vra Fehmi Agani pa dijen e këtij. A e kam mirë, a jo?

Zekria Cana me tha një ditë. Nëse nuk u vra me dijen e tij, ka mundur të shpëtonte Fehmi Agani.

– Ma ka thanë njëri se Fehmi Agani, pa u vrarë, pa vdekur, paska thënë se Rugova për çështjen e Kosovës ka falimentuar. Ata e morën njëherë e burgosën. Ia lanë UÇK-së njëherë. Po u mor vesh brenda një dite. Serbia tha e ka vrarë UÇK-ja.

E tash Bukoshi i ka bllokuar ato pare. Është një person ky Shatri, bre. S’po ndihet i gjallë Xhafer Shatri.

 Shoq yni i vjetër, shoq e kemi pasur.

– Po de! Çka u bë puna e tij?

 Në Prishtinë ka ardhur. Po e nxjerr një gazetë, “Pasqyra”. Me një shok po bëj llaf: Për çka është ajo gazetë, për t’u parë në pasqyrë a? Faqet e zeza për t’i nxjerrë në gazetë apo dikë tjetër për ta nxjerrë në pasqyrë?

– Po të kuptoj! Po nuk e di pse u izolua! Ku rrëshqiti ky njeri, bre mixhë?

 Eee, axha Hysen, UÇK-ja nuk ka pasur më armik e ma kundërshtar se këtë njeri. A ka qenë Xhafer Shatri ministër i Informatave? Shtabi i UÇK-së ka dalë me komunikata e ky i ka censuruar! Edhe FARK-u është dorë e tij dhe e Bujarit. Forcat e armatosura të Republikës së Kosovës. A ke dëgjuar për FARK-un? Xhafer Shatri ka pasur nevojë për ty e jo ti për të! A të ka ardhur ndonjëherë?

– Ai ka këqyrur e është mësuar prej meje! Po çuditem! Pse s’ka ardhur të më shohë, qysh e ka pasur punën nuk i jap rëndësi, po i humbi emri krejt.

 Ia ka humbur vetes emrin?

– Ky rrëshqiti diku si në lëvore të bostanit.

 Moti ka rrëshqitur, por vonë e ka parë! O Axha Hysen, ky ka qenë ministër i Informatave në qeverinë e Bujarit. A ka rrëshqitur edhe Bujari? Pse të mos rrëshqasë edhe ky?

– Ata me Bujarin janë dakorduar!

 Ata janë prishur në fund, pastaj kinse dha dorëheqje?

– A ka dhënë dorëheqje, a?

 Po, tash një vit! Një vit e dhjetë ditë i bën që ka dhënë dorëheqje. A s’po e ditke a?

– S’di, valla! Pse të të rrej!

 Po, ka dhënë dorëheqje. Në nëntor ka dhënë dorëheqje.

– Këqyre, allahile, për politikë, a?

S’po dua të jem me këtë qeveri e me këtë politikë. Kjo nuk po bën çka po dua unë. Është dashur të bëjë kështu. Ky faktikisht ka dashur ta lajë veten. Ky ishte në kontakt me Bukoshin.

Po, ministër i Bukoshit ka qenë. Xhaferi jeton Gjenevë.

– Kam pas dëgjuar se për pare janë gjuajtur me armë aty brenda. Një punëtor qe plagosur aty. Jo Xhaferi, po një punëtor i tij. Edhe unë i bëra telefon njëherë. Kujtonte që i ha unë këto punë. Po, more Hysen, më tha, serbët i bëjnë këto. Mbasandaj, edhe një herë më telefon më duket, i thashë: unë jam plak, po serbët nuk i kanë bërë ato.

Kur ta vendosin serbët, e kryejnë atë punë?

– E kryejnë atë punë. Te shqiptarët ka nisur të vrasë dikush.

Ai vetë i ka inskenuar ato.

– Për reklamë. Të them të vërtetën, letrën e parë kur ua kam shkruar, po bëhen shtatë vjet a tetë. Unë shkova. Ai ma gjeti një njeri të shkruante anglisht. Ai e pa që unë kam emër si ushtar, a po kupton ti. S’jam intele­ktual, po s’po pyet puna për intelektual. Kush jam unë sot? Me qindra ka intelektualë, po letrën time e ka përhapur Klintoni në të gjitha anët. A është kështu, a jo?

Po, po.

– Kur po vijnë amerikanët, më thanë i kemi lexuar ato. Po, po, më thanë, nuk kemi qejf që të bëjnë keq shqiptarët. Ishte një përkthyes. Disa fjalë i marr vesh edhe unë, por jo tamam. Tha duhet të tregojmë që jemi demo­kratë. Ne po qajmë për zullumin që po na bën shkau.

Ju edhe vetë keni thënë se, kur keni qenë kryetar, nuk keni lejuar të bëhet zullum. A është ashtu, a jo?

– Po, po, s’ka fjalë.

Gjatë luftës ka pas folur për Drenicë Zekeria Cana, i ka pas dhënë flakë.

– Po ai është intelektual, i fortë bre.

Incizimet në Prekaz, krejt i ka bërë ky Cana.

– Kush më tha dikush se Rugova ka filluar t’i ngushëllojë do nëpër Drenicë?

Kë e ka ngushëlluar? Kurrkënd hiç. S’ka dalë as të shohë. Veç në televizion që ka folur diçka.

– Vallahi, bre Sami, nuk e di. Veç tash po e shoh punën se, çka të vonojë formimi i një qeverie, është keq. Shumë shtete mike kanë qejf që po for­cohet Shqipëria etnike. Krejt viset shqiptare. Po forcohet puna.

Ali Shukria na ka mbetur. Ai takimi me të?

– Kam folur me Ali Shukrinë katër orë e pesë minuta. E di Shefqet Peçi, se edhe ai e kish këqyrur sahatin. Në fund, për këtë nuk jam pishman as sot. Me Alinë fola katër orë. I lëmë këto punë krejt, i thashë: Për një pikë dorëzohem dhe e dënoj veten me vdekje në këtë vend para jush. A fitoi komunisti? Fitoi. Pse të mbeten viset shqiptare të ndara?! Të bashkohen me Tiranën. Nëse jo, unë ashtu po e dënoj veten me vdekje.

Unë ju kam dëgjuar shpesh kur i keni thënë Ali Shukrisë, shkoni e mblidhni një thes gishta e sy. A asht ashtu a jo?

– S’kam lënë gjë pa i thënë. Ani unë s’e kundërshtoj komunizmin. Të bashkohemi me Tiranën, se shqiptarë jemi. Vetëm kështu, unë sot po dorëzohem.

Ti ke bërë luftën që e ke bërë në mal! Na ke treguar për luftën që ke bërë në Ferizaj. Edhe kur ke shkuar në Greqi. Qysh ke dalë në Romë! Kur u bë komiteti i Lidhjes së Prizrenit, edhe në Amerikë kur ke shkuar?

– Mua më keni nderuar, e Zoti ju nderoftë!

Je lodhur. Freskohuni pak e bëjmë pak muhabet të lirë. Bisedojmë edhe më.

– Me çka erdhët?

Ju atëherë në kalë të bardhë e na me katër rrota. Me Agim Çekun erdhëm në Ferizaj, në Gjilan dhe shkuam edhe në Kamenicë .

– S’e njoh. S’e kam parë kurrë.

Tash, kur hyri partizani, ju ishit kryetar komune. Çka bëtë ju tash? Filluat të dilni në mal për ta parë punën qysh po shkon?

Puna shihej. Do të shkatërrohej puna. Unë e kisha vendosur. Edhe po ta dija që nuk mbetet asnjë, të luftojmë. Mendimi im ishte të luftoj vetëm deri në fund. Po më duket i kam treguar këto Samiut.

Po Samiu jam!

– Ti e di se unë kam ndenjur në shtëpinë tuaj, se nuk guxonin të më mbanin të tjerët. S’kanë faj! Të ligshtë jemi! Duhet t’i bihet, bre mixhë. Gjithmonë, tutu, tutu, nuk bën.

Si dolët në mal?

– Na mbetën si pahiri tre englezë. I kishte pas zënë gjermani nga Maqedonia.

Me datë 14 nëntor unë e kisha nijet ta lija komunën. Pushohet, se po hyn komunizmi! Po dua t’i heq prej aty, në komunë, i kam do letra me rëndësi që të mos bien në dorë. Bile i kam marrë e i kam qitur në mal ato letra. Kur një telefon xërrrr… Kur e hapa telefonin. Më tha kush je ti? Thashë: Hyseni, bre! Po thotë unë jam Ramiz Cërrnica! Ka qenë dy vjet më i madh se unë. Mos vet për ne! E kam pas dashur shumë. Më përtej nuk di çka të them. Edhe nuk ka qenë shqiptar i keq. Po kushedi! Tha e mora një telefonatë prej Vllado Popoviqit, se ti Ramiz edhe kryetari i Pozharanit, mos i lëshoni komunat, se jeni besnikë të shtetit. Unë menjëherë e kun­dërshtova. Hajt, thashë, aga Ramiz, bre! I thashë një fjalë e një besë kemi e qysh i kemi punët. I thashë edhe që bëhet Kosova ujë krejt, unë pa luftuar nuk e lë. Ia mbylla telefonin. Po avitet akshami! Kur po i shoh unë tre ushtarë me tri mushka me mitraloza mbi samar po kalojnë. Unë thashë janë ushtarë, po shkojnë për Ferizaj. Kur hyri një polic e më tha ushtria e lëshoi Gjilanin. Mos, bre! Unë e kap telefonin. E kisha një Ramiz Beguncën, e pata çuar në Stubëll si postëkomandant. Në telefon po i them: ai i ke xhandarët aty? Po, tha! I thashë dil në udhë. Mos bëj pushkë me ta. Tre ushtarë vijnë. Me tri mushka, mitraloza e fishekë plot. Nga një mitraloz mbi samar. Thuaju, vëllezër, ndaluni, se ne do të luftojmë. Mos u ndal­shin, ndaloni mushkat dhe armët me fishekë. Pushkët mos ua merrni. Shqiptarë, bre, më ardhke keq t’i çarmatosin shqiptarët, mozomakeq. Kishim boll armë. Ai u del përpara. U thotë se ka urdhër. Ushtarët i lëshon, por ua ndalë mushkat, armët me fishekë.

U nisa për Gjilan. Me çeze. Jam veç me një polic. Kur kam dalë te Radivojca, qe dy kamionë me ushtri, po koloneli vetë asht me shoferin përpara. Kamioni tjetër është me policinë shqiptare. Më ka parë mua koloneli. Atje isha përditë. E kanë ndalur kamionin. Pa u afruar unë hala mirë, ka zbritur dhe ia plasi vajit. S’po mund e pajtoj tek dënes. Na mori shkau, po thotë. Ndalu, i thashë, se veç prej Zotit vjen diçka. Unë tha kam urdhër të hyj sonte në kufi të Shqipërisë. Tha mos u mërzit. Krejt Kosova po mbeti me ta, malet e Shkodrës nuk bien. Fjalë të shqiptarëve! I thashë këtu jemi në hall! Nuk mund ta mbrojmë këtuhen prej maleve të Shkodrës. Bre, lut e lut, s’ndalet. Po, tha, lidhjen e ke me djalin e Ramë Bllacës, Qazim e ka pasur emrin! Me Qazim Bllacën! Merru vesh, ai është në Prizren! Do të jemi në lidhje gjithmonë. Udha e mbarë! Mbarë paç! Nisën të mblidhe­shin aty menjëherë. Po vijnë do prej Sllatine, do prej Zllatari, me pushkë në dorë. U ktheva në komunë. I dogja do farë letrash çka kishin rëndësi. I shpërndava do për politikë. Njëri ka qenë aty, por ka vdekur në Itali. Ka qenë i Pozharanit, azgan shumë. Kur kam dalë në xhade për ta lëshuar komunën për të shkuar në Tërpezë, i kisha çuar fjalë Hasan Kabashit t’i binte tek unë anglezët. Kur kam dalë në xhade, i vëllai i Sinan Hasanit, Musli Pira, afër tij, mbas Rifat Pira, tha: Ku je tradhtar, bre!

Mua?

Ty!

Papë unë koburen. Po edhe ai e kishte koburen!

I bërtiti Musliu. Ai polici qe afër meje. Menjëherë ra dhe ua ktheu push­kën. Ah, kush jeni ju, he jua bëfsha e jua kthefsha, bre! Pat m’i stërvajtë, valla. E ndalen atë! Po avitet akshami! Kur shkuam në aksham, u terrua pak. I pruri anglezët aty! Erdhi edhe Mulla Idrizi i Gjilanit. Erdhi me nja 4-5 veta edhe ai. Tri shtëpi i kam pasur, Edhe për të luftuar mblidhen njerëzit. Po vijnë krejt katundi. Po vijnë njerëz edhe prej Sllakovci.

 Muharrem Fejza i Hogoshtit, a ishte aty?

– Ai ka qenë i flaktë. Shtëpitë e xhandarisë së Tërpezës kanë qenë mbi katund. Kanë qenë shumë japia. Njerëzit që u tubuan, shkuan aty. Unë mbeta me shokë për të parë se bahen shumë njerëz. Ata mbetën atë natë tek unë, edhe dy net. E gjetën njëfarë djali prej Gjilani. Ata patën ndenjur tre muaj në Hogosht. Ai ditke nga pak anglisht, por jo mirë. Merrte vesh ky djali. Ata engleztë thoshin këtë regjim nuk e do Amerika. Ne jemi ushtarë e nuk dimë tjetër, por anglezi nuk e donte këtë regjim. Tri net aty, te na. Mulla Idrizi e Muharrem Fejza po thonë: mos po na i zënë në dorë anglezët? I dorëzuam ne në Gjilan. Ia dhanë dikujt t’i çojë. Mua më tha mulla Idrizi të dilja nga Ferizaj. Merre ndonjë polic e dil. E mora atë Sadikun me dy kuaj, se kishim boll që i kishim zënë në Maqedoni. Luftë e madhe qe bërë atje. Kur kam dalë, kur njëri po thotë, qe Adem Gllavica. Një herë e kisha pa a dy, se ai ka qenë në shkolla. Kur shkova ai kish qenë duke ua ndrequr kapuçat për t’i bërë partizanë. Edhe kish vendosur të hynte në Ferizaj, të shkonte me ta. I thamë, zotni Adem (ai ishte më i ri se unë nja katër-pesë vjet). I thashë eja në vete. Ai s’po ndalet. Ai ka marrë hov. Kur kanë dalë prej Ferizajt, nja tre a katër duke ikur. Po ikin, asnjëri shoqin s’po mund e zë. Çka keni bre? Tha vallahi e rrëzuan flamurin tonë, e vranë një ee…! Veç u ndalën. Po i them, a po e sheh. Kur e pa situatën, i thashë te ne po mblidhemi. Pari kemi boll. Mulla Idrizi është aty. U avit akshami. Ani, tha. Nesër e mbledh edhe ndonjë shoq e po vij. Edhe të nesërmen erdhën, besa. Tridhjetë-katërdhjetë veta. Po mblidhen mileti. Pa rrena, a janë kanë tre mijë veta, eksik dyqind a jo. Po rrimë aty. U çua pastaj Mulla Idrizi e po thotë unë po shkoj edhe një herë nga Gjilani. Të nesërmen një telefon cingëron. Ka ardhur një njeri me një letër në dorë e po pyet kush është Hysen Tërpeza? Krejt letra serbisht. Megjithëse unë s’disha të këndoja as shqip as serbisht. Ia dhashë Muharrem Fejzës e po e këndon. Edhe Ademi pat ardhur aty. Shkruan Hoxhë Nishevci. Kish ardhur me brigadë me 5 mijë veta në Gjilan. I kanë kallëzuar që unë kam vendosur të luftoj.

Thotë serbisht në letër. Mbasi ke vendosur t’i biesh Gjilanit, po t’i çojmë disa mijëra yje. Nëse e vë yllin në ballë, nuk e ke vënë në zemër. Zini rrugën e Prishtinës me nja 2 000 veta. Zini rrugën e Shkupit. Në Gjilan bërtitni Rrnoftë Marshall Tita! Rrnoftë Enver Hoxha! Edhe e merrni pushtetin në dorë, pa gjak. Të fitojmë luftën, mos ta humbim! Krejt në emër timin.

U them nuk kemi asnjë marrëveshje. Këto toka janë toka shqiptare e nuk kemi asnjë bashkim me serbë. Shkruaje. Ia kthyem letrën.

Të nesërmen një djalë po pret aty. Kush a ky? Të nesërmen shkruan Vllada Popoviqi, serbisht, një letër.

Ju e dinit që kishte shumë brigada? E dinit që Ferizajn nuk mund ta merrnit, por donit t’u tregonit shkive që këtu jemi.

– Duke u çuar, këta e kanë marrë Adem Stançiqin. E kanë thirrur atë të Muçibabës, Imer Muçibabën. Ai e ka dhanë fjalën. Ai ka shkuar i ka kallë­zuar katundit se u lidhëm. Sonte a nesër vjen brigada prej Preshevës e t’ia zëmë rrugën. Aty çojnë një njeri që t’u thotë mos u ngutni, se do të merremi vesh. Ai Ymeri thotë: çka, bre? Unë edhe po ta di që nuk jetë njeri i gjallë, pa e nisur luftën nuk e lë. U vra ai i shkreti vetë i trembëdhjeti. Këta i morën e i çuan në Gjilan. I kanë lidhur. I kanë detyruar Fazlinë me Ademin të tërheqin qerren si kuaj nëpër Gjilan. Dikur i shtinë në burg. Dikur Ademin e banë deputet, Fazlinë s’e ngucën hiç. Krejt u dorëzuan. Krejt, hajt, mule, se po merremi vesh. Na more në qafë, mua më thoshin! Vallahi, bilahi, bre mixhë, veç u shkolluan gjinja, se të humbur kemi qenë.

 Mbasi u shpartallua lufta në Gjilan e në Ferizaj, ju në mal ishit a?

– Po, ne në mal.

 Sa ushtarë i kishit?

– Nuk dihet! Herë 200 e herë 400.

 Po ju për Karadak, kush ju emëroi komandant, Shtabi i Kosovës a?

– Jo, more. Ne pritnim të takoheshim me shokë e mos po bëheshim më shumë. E quaja veten të vogël. Unë pa shkollë, pa kurrgjë. Këta shkollarët mbetën varur. Mos po bëhet me paqe diçka. Kisha do shokë, por ata ishin si unë, pa shkollë. Mbas katër-pesë muajve e kemi bërë tubimin në Presidel. Aty jemi qenë nja 500-600 veta. Kemi pritur. Thosha kush jam unë? E quaja veten fëmijë. Pa shkollë. Turli njeri me vete. Ndoshta po bëjnë gjëra të këqija. Unë mbeta. Kur u mblodhëm në kongres, Ibrahim Kelmendi s’e pranon këtë detyrë. Luan Gashi jo. A e qesim Ademin? Po nuk pranonte.

 Tani ju mbeti juve komanda, bacë?

– E qitën në vota edhe Ademin, po votat erdhën nga unë krejt dhe thanë, ia pafsh hairin! Unë thashë: ngadalë, se do t’i caktojmë edhe komandantët. Caktuam për Kopilaç Hasan Kabashin, komandant i parë i batalionit. Komandant i dytë i batalionit Rexhep Xhakli i Kishna Poles. Komandant i tretë i batalionit nga ana e Jezercit një Shaban Haliti. Tre nga ana e Prish­tinës, Rexhep Akllapi. Ishin edhe ata nja dhjetë kushëri, edhe të fortë për luftë. Për Kaçanik, Dyl Hoxhën. I vjetër, i kish afër 60 vjet. Edhe u besa­tuam. I dhamë zor. Doja të bënim krejt. Po hyri ileti. Unë kam dalë nga ana e Budakovës, me Ademin dhe Ibrahim Kelmendin. Atë ditë Luanin jo. Ish diku tjetër. I shkuam Adem Jezercit. Ka qenë nga fundi i muajit maj ’45. Morëm vesh që po duan t’i tubojnë parinë për t’i shtyrë të nënshkruajnë, se po duan të mbeten me Serbinë. Kam shkuar unë tek Adem Jezerci. E njihja përpara. Ishte njeri që pajtonte gjaqe. Burrë i mirë. E gjetëm. Ishte natë. Vetëm në odë. Me priti e më veti. Unë i thashë çka kemi dëgjuar që po thonë. Mirë paskeni dëgjuar, se na kanë thirrur që dy ditë. Na ka thirrur Fadili në Prizren. Qysh më ka thënë, nuk e harroj kurrë. Na tha shikoni. Do të na thërrasin ne parinë, që ju me një zë të flasim e të themi se jemi me Jugosllavi! Kam marrë edhe një letër, tha, po letrën nuk na e kallëzoi. Tha kam marrë një letër edhe prej Enverit: sot thirre parinë e thuaju, me të parën fjalë do të thoni – me Jugosllavi! Se po të thotë dikush me Shqipëri, jo veç ju paria që jeni aty, por do të shkojnë me mijëra e me mijëra kosovarë. Na ka zënë puna e s’kemi nga t’ia mbajmë. Çka mund të bëj unë, o Hysen Terpeza? Ti e ke atë pushkë e të lumtë! Për shembull, Ramiz Cërnica, mend ka pasur, po zemër nuk ka pasur. Ramizi një herë ka thënë, mbasi tek është komunist andej e këndej, atëherë ne po shkojmë me Shqipëri. Po ngadalë, ngadalë, e morën e shtinë në burg me gjithë djalë. Bile djalin përpara. E kam dashur shumë. Kur shkova në Greqi, ëndërr e kam parë që e kanë zënë. Sa herë shkoja në Gjilan mua më ndalte. Shumë muhabet më ka bërë në Cërrnicë. Kam qenë i ri. Bile u thashë shokëve, ëndërr kam parë që Ramiz Cernicën e kanë kapur.

 Çka u vendos për atë plakun e Jezercit?

– Ademi tha çka të bëjmë? S’kemi nga ia mbajmë! Enveri na tha që do të shkojnë me qindra-mijëra krerë të Kosovës e nuk do të mbetet kush. U tradhtuan që u lidhën me ta herët. Unë thashë të biem në kontakt e ta bëjmë Lidhjen e Prizrenit, se kisha mësuar goxha për të. Bile na pat mësuar Halim Orana.

Kam pas dëgjuar nëpër oda më herët për këtë Lidhjen e Prizrenit. I ri kam qenë e pata ndenjur kryetar tri vjet. Edhe pa rënë hala, kam pas kuvenduar me disa shokë për formimin e Lidhjes së Prizrenit. Ka qenë Halim Orana. Atë e kanë pushkatuar në Kroaci. Na pati mbetur Kroacia në lidhje e atë e patëm çuar të na përfaqësonte.

Dy muaj a tre hala ishim duke luftuar në Hogosht, u takua me mua, se shkoja në Gjilan shpesh e në Hogosht. O Hysen, më thoshte, qe besa unë të njoh ty, kemi folur edhe përpara, ka ardhur dita dhe na duhet të mbetemi hala maleve. I thashë unë e kam sosur që kurrkush në mos daltë, unë me këtë pushkë në dorë do t’ia nis. Edhe ata, edhe ne, u morëm vesh, e caktuam që ai të jetë kryetar. E pastaj u mor vesh se atë e kapën. Për Azem Oranën janë të shkruara të gjitha.

Gjatë asaj kohe, kur ishit në mal, brigadat e Shqipërisë patën hyr, a?

Po, po.

 Kur u takuat me Ali Shukrinë e Shefqet Peçin? Më herët?

– Jo, jo, më vonë. Ka qenë nga fundi i muajt maj 1945. Ali Shukria ishte në pozitë të lartë, përfaqësonte krejt Jugosllavinë. Malet tona janë të forta. Ne i kemi dëmtuar më shumë. Jemi atje në malet e Gadimes. Verë ka qenë, nga fundi i majit, në fillim të qershorit. Ne kemi vënë rojën. Veç Ibrahim Kelmendin e kam me vete. Ademi e Luani ishin nga malet e Prizrenit. Na jemi nja 20 veta. Gadimja na ka mbajtur shumë me bukë. S’ish kurrgjë. Na qitshim pushkë në mal. Kur dilnin brigadat, na kallëzonin mileti. E kemi vënë rojën, po rrimë aty. Po bëjmë llaf e muhabet. Shaban Kajtazi ka qenë kryetar në Prishtinë. Ka qenë i lidhur me Fadilin.

Ai Shaban Kajtazi ka qenë shef i OZNA-s. I Babushit ka qenë. Alia, krejt Jugosllavinë e kish në dorë. Përfaqësonte Jugosllavinë. Shefeqet Peçi nga Shqipëria…

Janë bashkuar dy shtetet, se lufta po shkonte në mbarim, e kanë bise­duar qysh të na mashtrojnë. Ai qe e pat përpara Ukë Sadikin, e vranë atje nga Peja vetë të 23-tin. I kam të shkruara. U vra Nue Përlleshi përpara. I fortë ka qenë. I fortë, por pa shkollë. Edhe druri është i fortë, po dru. Edhe puna po shkonte duke u ligështuar. S’u tutshim. E kishim vënë rojën. Këta kanë shkuar e i kanë marrë në Mirash. I kisha edhe do shokë me të cilët kam pas bartur duhan, 7-8 vjet a dhjetë, për t’u bërë idare. Shokë, po të jetesës. Ata nuk mbetën në mal për hesapet e veta. Kur pat dalë njëri prej tyre pak i thashë: Qazim, ju për mua mos rrini. Unë e kam vendosur se nuk dorëzohem derisa të vritem. U dorëzuan ata. Tashti ata i ka marrë Ali Shukria, i ka marrë me vete që të vijnë të dy. I paskan marrë ata të vijnë tek unë.

Edhe Adem Kajtazi edhe Alia e kanë pasur nga një djalë. Ka qenë një Brahimi i Rrahim Cërrnillës, ngjit me Babush e me Mirash. Aty e kemi pasur një njeri që ka qenë zotni, muhabetxhi i madh. Më ka dashur. Ish i vjetër, i kishte 60 vjet, e unë djalë i ri kundrejt tij. Po rrimë, po bëjmë llaf, këta i kanë marrë Qazimin dhe Qerimin, në Mirash, edhe një tjetër, ka qenë spiun gjithmonë. I Mirashit ka qenë. Ata janë tre. Ata janë në tesha joushtarake, civilë, po me armë. Djali i Brahimit është i veshur ushtar. Kajtazi, edhe ai. I ka parë roja jonë. Ishin do roga nëpër mal. Po i njohin. Vëllai im ish hala pa u vrarë, 20 vjeç. Ahmeti, kushëriri im, i ka njohur ata. Kanë qenë disa herë në shtëpinë time ata të Mirashit. Edhe më kallë­zuan mua. Paskan thirrur ata, e paskan parë vëllanë tim. Qazimi ka ardhur, shko thuaj Hysenit, me besë, që unë jam Shaban Kjatazi e na njihni. Kur erdhën, ç’të bëja, tek të bëja. Thashë, le të vijnë, more! Në mal pushkën në dorë e kam. Kisha automatikun. Nuk e merrja fort me besim, se mu nxeh fort ajo armë, nuk e qet plumbin sa në derë. Pushka është shumë e fortë. E kisha një çekosllovake. Le të vijnë, bre. Po kanë qejf të takohemi. Shtatë veta, tre kushërinj të mi e do të tjerë. Ka qenë një Rexhep Behluli, nip i Bajrush Xhaklit. Ata shqiptarët janë trima krejt, por ai ka qenë shumë i shpejtë. Nga shkoja e marrja me vete. Aq ka qenë i rreptë, sa tre veta i çarmatoste për një minutë. Thashë rrini gati ju. Po vijnë ata. Janë Shaban Kajtazi, Ali Shukria dhe kanë edhe një serb me vete. Shqipen e ditke si bylbyl. Mirë se erdhët! Folëm dorë për dore.

 Shefqet Peçi, nuk ka qenë me Aliun herën e parë?

– Jo, jo. Shefqet Peçin e kanë lënë në odë. Po, more, jam takuar pastaj me të.

U përshëndetëm me ta. Shabani tha: O zotni Tërpeza, si me frikë po thotë: dy shtete janë marrë vesh, kanë garantuar, çfarë duhet të flasin me ty, çka duhet të bisedojnë me ty. I thashë punët janë të ndara, hala nuk po e shihni, a? Valla ne nuk e dimë. Qe Qazimin e Qerimin që i ke shokët më të dashur. Të takohemi në odë të tyre. S’kisha more çka të flisja. Tha s’kemi më takime. Janë ndarë bisedat tona. Shqiptarë, tha, jemi, zotni Tërpeza, e nuk duhet të frikohesh. Kur ma tha këtë, “nuk duhet të friko­hesh”, mua më dogji kjo pak. Mos, bre mixhë, se ti je shqiptar vetë, se nuk frikohen shqiptarët. Ai po thotë në Mirash, thashë, po mbasi po e përmend frikën, thashë unë jam gati të vij edhe pa besë, pasha këta dy sy. Në dash në Ferizaj, në dash në Prizren, në dash në Pejë a në dash në Gjakovë. Unë njoh zot dhe i jam mbështetur kombit. Çohuni ku të doni, jo se në Mirash.

 A kishit ju ndokënd me vete?

– Vetë i teti!

 Një më shumë?

– Po!

Shtatë shokë e unë i teti. Të betuar për të vdekur. Ne shkuam në Mirash. Kur hymë në odë të Qazimit, asnjë njeri aty. M’u avit Isuf Dobraja, ish pak më i moçëm, nuk ish budallë. Tha na prenë në besë, bre! Thonë se Shefqet Peçi është aty duke pritur. I janë avitur atij Shabanit dy djem të rinj. I paskan çuar prej Sojevës, se më moti edhe i paskan thënë Shabanit që ata na kanë çuar, e hajdeni atje e më mirë bisedojmë!

 Në Cërrnillë?

– Po, po. Unë mos të kisha thënë fjalën e madhe, që në dash në Prizren a në dash këtu, s’po shkoja, po fjala me shtini ngushtë. Isufi u avit e tha, na prenë në besë, bre! I thashë, Isuf, kam folur fort dhe asnjëri mos ardhshi, pa shkuar vetë nuk e lë.

Jo, tha, ne nuk ndahemi. Hajde. Ma gjetën edhe mua një kalë. Shefqeti dhe djali i Brahimit kanë ardhur me kuaj prej Cërnillës, a po di. Tre në kuaj, një këndej, një këndej. Sahati gjashtë allaturka të ditës. Nxehtë. Ishte muaji maj. Afër aty, s’ka pesë a gjashtë minuta. Shabani thotë, s’ka tjetër aty, përveç tre-katër policë. Veç Ali Shukria është. Dikush po prashit. Ahmeti e Sejda, kur na panë, u habitën. Unë në kalë. Djali i Brahimit ushtar i veshur. Komandant ish Shaban Kajtazi. Puna e mbarë! u thashë. Ai njëri po do të ma japë një cigare e po i dridhet dora të ma japë zjarrin. Ahmet, i thashë, tash kthehem. U ndalën.

Kur po bëjmë të hyjmë në Cërrnillë, i binte si breg, e po këqyri, kur çka të shihje në oborr? I pashë si në tepsi, në oborr të Rrahimit. Çka do të bësh? Neve na thanë janë dy-tre ushtarë, Shefqeti e Alia janë, edhe një serb, shoq me ta. Nga t’ia mbaj? E kisha vendosur të takohesha me ta. Kisha vakt edhe të kthehesha. Ishte terreni ashtu me brigje. Aty janë njëzet a ma shumë a tridhjetë veta. I pashë, do ruhen, s’di çka bëjnë. Plot oborri. Thashë me vete, këta që i kam në të majtë, po i fshij. Ata na kanë parë. Kur kemi hyrë në oborr atje, kanë dalë. Alia kish qenë atje. Oda aty, shtëpia sikur përtej. Shtëpia dy kat. I kanë çelur dyert e oborrit prej dërrasave. Kemi hyrë aty. Alia ka dalë përpara. Mirë se erdhe, zotni Tërpeza! Mirë se ju gjeta!

Edhe Shefqeti tha hajde, hajde urdhëroni! Hymë. Rrahim Cërrnilla e ka qit një postiqe e u zverdh. Tutet në shpi të tij. Unë hiç. Pesë pare s’po i jap. Ai ka qitur prush në midis për të bërë kafe. U ulëm aty. Alia tha: Zotni Tërpeza, faleminderit që ke pranuar! Edhe me Shefqetin folëm, si je, ku je dhe jo më gjatë! Mirë që e ke pranuar takimin dhe të na kallëzosh çka lyp? Thashë flisni ju njëherë. Nuk e di çka t’ju them, ju më keni thirrur. Ka vakt kur flas unë. Po, tha, liri e madhe. Fituam. Jemi pajtuar krejt.

Tre-katër mijë veta ishin burgosur. Çka ish bërë në Tetovë, more mixhë!? Monopoli i duhanit që ka qenë në Tetovë ishte mbushur tri herë nga tre mijë veta, e sabahu nuk e ka çelur asnjë. Në Maqedoni kanë bërë më keq se te na që kanë bërë serbët, në Kosovë. U bë luftë, si në Gjilan e në Ferizaj.

Po thotë, po merremi vesh. Shtetet i kanë dhanë karar. Ti, zotni Terpeza, i ke dhënë provat. E vërtetë, ke nisur luftë e është derdhur gjak, po në realitet ne e dimë se ti je burgosur nga italianët e je arratisur prej gjerma­nëve. Ke bërë këtë e këtë, e ke ruajtur komandantin Fadil Hoxha, e ke shpëtuar. E patëm shpëtuar në luftën e Livoçit. Unë po dëgjoj.

Sot, tha, unë e përfaqësoj Jugosllavinë. Në krah e kishte Shefqetin. Ky Shefqeti përfaqëson Shqipërinë. Dy shtete, dy qeveri, kanë marrë vendim të të falin. Asnjë minutë në burg. Ti je i lirë. Shokët që janë për ushtri, le të shkojnë ta lajnë ushtrinë. Atyre që janë të vjetër, do t’ua lëmë edhe armën. Për ty nuk bëhet fjalë për burg. Ti do të jesh në dorë të hyqymetit. Do të jetosh si është më mirë. Një kohë dhe jo shumë gjatë e mbasandaj do ta kesh vendin përmbi krejt, jo veç në Kosovë, por edhe në Jugosllavi. Po flet, po flet. Një orë e pak minuta ka folur. Atëherë i thashë: a e mba­rove, zotni Ali? Po. Pasha Zotin, more mixhë, e ka këqyrur sahatin edhe një shoq. Katër orë e pesë minuta kam folur. Me këtë gojë kam qenë i fortë. Tybe nuk më ka rënë në mend që ka tutë në botë. Shokët i kisha përreth të gatshëm të vdisnin. I thashë, me kë po flet ti? Si po bahet sahati nëntë, duke kërcitur pushkët në krejt Kosovën, duke bërë batare njerëzit. Me mijëra njerëz. Duke ia numëruar, çka u bë në Tetovë? Unë jam edhe atje. E di krejt. Unë jam në mal, kaçak. Me mijëra njerëz i kanë mbytur. Nata i errë e sabahu s’i çel. Shqiptarë janë ata, bre. Nuk flet hiç. E mbulonin djersët, por për të folur nuk po fliste.

 Shkau, aty po për vete e ka?

– Po, po. A po e sheh atë serbin aty? Po. Ky nuk është komunist, po çetnik. Ky i ka tapitë për tokat që na i ka uzurpuar. Tash e ka vënë një yll në kapuç e kishe jam bërë komunist. Po, bravo i qoftë, bre! Ai e ka detyrë t’i bëjë këto. Ne hala nuk po shohim. Shkaut një çehre i shkonte, një i ardhke. Shqipen e dike si bylbyl ai. Hiç s’folke Alia. Fola unë katër orë. Po avitej akshami, po unë të tutesha, hiç jo. I ka rënë hija. Diellin e kemi mbas shpine. Dielli po duket vetëm në majë të shtëpive. Edhe po mendoj si do të dal ditën prej aty.

Atëherë thashë, kjo punë është e mbaruar. Vetëm kur të bëhet një Shqipëri etnike, atëherë pajtoj unë. Biseda mbaroi. Thashë, çohemi. Alia tha mos u ngut edhe pak. Jo, tha ai Shefqeti i Shqipërisë.

Shefqeti tha, toskë ishte, zotni Tërpeza, unë po të dëgjoj qe je duke folur qe katër orë. Tha krejt je gabim. Dorëzohu tha, se unë e përfaqësoj Enverin, Shqipërinë. Dy shtete i kanë vënë karar (janë pajtuar) që ti je i falur. Çka do tjetër? Edhe ato që foli shoku Ali krejt janë ashtu. Tha ti çfarë kërkon? Unë veç me një fjalë që fola – vetëm vdekjen time mund ta nënshkruaj.

A fitoi komunizmi? Fitoi. Pse të mbetet Kosova me Beligrad? Thashë. Ne nuk pajtohemi në asnjë mënyrë të mbetemi nën Beligrad. Edhe nuk pranoj në asnjë mënyrë marrëveshje.

Po ndalen fjalët, po avitet akshami. Brigadat në të gjitha anët vlonin. Të merremi vesh, zotni Ali! Kush do të dorëzohet, unë nuk e ndali. Unë veç me një pikë dorëzohem: (edhe sot kujtohem), a fitoi komunisti luftën edhe në Shqipëri? A fitoi komunisti? Po. Pse të mos shkojë Kosova me Shqipëri. Dorëzim nuk ka. Në shkoftë me Shqipëri, unë po e nënshkruaj dorëzimin tim edhe dënimin me pushkatim. Me Beligard, kurrë jo. E kam bërë nijet të vdes me këtë armë në dorë. Tap, kërceu Shefqeti. Tha qe katër orë që fole, krejt je gabim. Ia ngjiti thoit: a ndahet ky thua prej mishit, aq ndahet qeveria e Tiranës prej Beligradit! Mendo mirë, jam i ngarkuar të të kallëzoj gojarisht. Përfaqësoj Shqipërinë dhe Enver Hoxhën, presidentin. Siç foli edhe shoku Ali, ne i falim edhe jetën dhe krejt. Përndryshe, mendo për farefis. I thashë farefisi im është krejt Kosova! Mendo për familjen personale.

Kurrë në jetë nuk kam qenë më trim! I thashë: shiko, sa për familjen time, njëri djalë ka qenë tre-katër javësh, shko merri e qiti në zjarr, le të digjen, se unë nuk i dorëzohem kësaj diktature. Thashë, me leje, Alisë, se e kisha në krah, ne po çohemi. Shefqeti e zbuti pak zërin. Zoti Tërpeza, tha, mos u ngut edhe pak. Të shkruash një letër e t’ia dorëzosh Këshillit të katundit, le të vijnë shokët, se ty nuk mund të të lëshojmë. Dhjetëshen e Alisë e kam këtu në krah. Kur më kanë shkuar kështu shokët, shkoj edhe unë. Njëri e kish një mashinkë italiane, të fortë. Ia ka kthye Shefqetit në rrasë të gjoksit. Ka bërtitur Alia trishtueshëm. Si të mos kish qenë zë njeriu. Prej këtij vendi, u thashë shokëve, mos luani! Bërtiti edhe Shefqeti. Tha, tashti, me leje, puna mbaroi. Thashë le të çohemi! Shefqeti atëherë kish qenë budallë për mua. Atëherë unë e pashë punën. Alia i bërtiti atij. Nga­dalë, se me besë e kemi marrë e me besë do ta çojmë te shokët. Krejt u çuan në këmbë. I rrokëm përpara të gjithë dhe i qitëm para derës. Ku do t’i çosh, axha Hysen? Kishte rënë shi dhe kish ardhur uji prej Gadimes dhe e kishte prerë tokën e kishte bërë llagëm të madh. Mal nuk kishte aty. Ishte bërë rovinë e madhe në Cërrnillë. Po ecim ne e s’po bëjmë zë hiç. I kemi rrokur përpara. Kur u avitëm aty, pranë llagamit, thashë, ndaluni, zotni Ali.

(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon nesër) /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Pal Lekaj,…