Me blerjen e produkteve serbe e forcojmë Serbinë për të na luftuar
Politologu shqiptar Bardhyl Mahmuti, në këtë intervistë për “Epokën e re”, duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ka thënë se Serbia ka përfituar mbi pesë miliardë euro nga tregu i Kosovës.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këto miliarda euro të Kosovës shfrytëzohen edhe për armatosjen e Serbisë me armët më të sofistikuara ruse, shfrytëzohen edhe për mobilizimin diplomatik që të tërhiqen njohjet nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shfrytëzohen edhe për pengimin e anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare, shfrytëzohen edhe për pagesat e strukturave të pushtetit serb në Kosovë. Me një fjalë, çdokush që blenë produkte serbe kontribuon me paratë e veta të forcohet Serbia që të na luftojë edhe më fuqishëm”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.
Politologu i njohur shqiptar ka propozuar që taksa prej 100 përqindësh për produktet serbe të shkojë në një fond të veçantë për dëmshpërblimin e viktimave të gjenocidit serb.
Duke komentuar reagimin e zonjës Federica Mogherini, e cila në emër të BE-së kërkoi që taksat të hiqeshin menjëherë, Bardhyl Mahmuti ka thënë se pa marrë parasysh se nga kush dhe të cilës natyrë do të jenë presionet ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, një gjë është e sigurt: “Nuk ka asnjë forcë dhe asnjë presion që detyron qytetarin e Kosovës të blejë produkte serbe!”.
Serbia ka përfituar mbi pesë miliardë euro nga tregu i Kosovës
“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës ngriti taksat për produktet e ndërmarrjeve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës në masën 100 për qind. Shumica e interpretimeve këtë vendim e ndërlidhin me dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në Interpol. Çfarë mendoni ju?
Mahmuti: Meqenëse vendimi i Qeverisë së Kosovës pasoi dështimin diplomatik në Dubai, shumëkush e sheh këtë vendimin të lidhur me zhvillimet rreth përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në institucione dhe në organizata ndërkombëtare. Mendoj se gjërat duhet të shihen të ndara. Edhe sikur të mos kishim pengesat për t’u anëtarësuar në Interpol, një taksë e veçantë për produktet e shtetit që ka ushtruar gjenocid në Kosovë del si domosdoshmëri. Kjo taksë duhet të shkojë në fond të veçantë për dëmshpërblimin e viktimave të gjenocidit serb. Përveç vendimeve qeveritare, në raportet tregtare me Serbinë përgjegjësi vendimtare kanë të gjithë qytetarët e Kosovës. Vetëm gjatë dhjetë vjetëve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka përfituar mbi pesë miliardë euro nga tregu i Kosovës. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këto miliarda euro të Kosovës shfrytëzohen edhe për armatosjen e Serbisë me armët më të sofistikuara ruse, shfrytëzohen edhe për mobilizimin diplomatik që të tërhiqen njohjet nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shfrytëzohen edhe për pengimin e anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare, shfrytëzohen edhe për pagesat e strukturave të pushtetit serbe në Kosovë. Me një fjalë, çdokush që blen produkte serbe kontribuon me paratë e veta të forcohet Serbia që të na luftojë edhe më fuqishëm.
Iniciativat për bojkotin e produkteve serbe kanë qenë të pranishme edhe para edhe pas luftës çlirimtare të Kosovë
“Epoka e re”: Sipas jush, krahas masave shtetërore në raport me produktet serbe, a duhet që edhe qytetarët e Kosovës të jenë shumë më aktivë?
Mahmuti: Gjithsesi që kërkohet një proaktivitet më i madh dhe përgjegjësi më e lartë shtetërore edhe nga qytetarët e Kosovës. Të mos harrojmë, iniciativat për bojkotin e produkteve serbe kanë qenë ë pranishme edhe para edhe pas luftës çlirimtare të Kosovës por, fatkeqësisht, asnjëherë nuk patën efektin që do të duhej të kishin.
“Epoka e re”: A mund të na sqaroni se në cilën kohë para luftës çlirimtare të Kosovës dhe kush ka ndërmarrë iniciativë për bojkotin e produkteve serbe?
Mahmuti: Në kulmin e fushatës antishqiptare të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit për ta hequr autonominë e Kosovës, në kohën kur minatorët e Trepçës filluan grevën e përgjithshme dhe u shndërruan në strumbullar të mobilizimeve për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona kombëtare, më 27 shkurt 1989, në Pallatin “Cankariev Dom” të Lublanës, mbi 400 mijë sllovenë nënshkruan peticionin në mbrojtje të Kosovës. Ky solidaritet i paparë deri në atë kohë e tërboi regjimin e Beogradit. Të gjitha institucionet republikane dhe partiake të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, sollën vendim që të bojkotohen mallrat e Sllovenisë. Në këtë kontekst historik, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e vetmja organizatë atdhetare shqiptare e asaj kohe që vepronte në klandestinitet, lëshoi komunikatë përmes së cilës kërkonte nga të gjithë shqiptarët që t’i bojkotonin mallrat e Serbisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Fatkeqësisht, edhe në atë periudhë, edhe pas gjenocidit serb në Kosovë, ky aspekt i luftës nuk ka pasur shtrirjen e duhur.
“Epoka e re”: Sipas jush, çfarë efekti do të duhej të kishte qëndrimi refuzues i qytetarëve të Kosovës ndaj produkteve serbe?
Bardhyl Mahmuti: Po sjellë shembull takimin me një numër senatorësh belgë që ishin për vizitë në Kosovë në vitin 1999. Në atë kohë ishte aktualizuar kërkesa për bojkotimin e produkteve të Serbisë dhe kërkuan nga unë qëndrimin e Qeverisë së Përkohshme, ministër i Punëve të Jashtme të së cilës isha. Në atë kohë shpreha skepticizmin tim për realizimin e një gjëje të tillë, sepse çdo gjë ishte nën kontrollin e UNMIK-ut. U thashë se sikur të kishim mundësi do ta ndalonim hyrjen e çdo produkti serb në Kosovë. A mund ta imagjinoni reagimin e izraelitëve nëse dikush do të përpiqej të fuste në vendin e tyre produkte që kanë simbolin e kryqit të thyer të Hitlerit? E njëjta gjë vlen edhe për ne. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe simbolet e këtij shteti janë simbole të shtetit që kreu gjenocidin në Kosovë. Të nesërmen e takimit i shoqërova në Komunën e Rahovecit. Atje patën mundësi të shihnin një pjesë të vogël të tragjedisë së madhe të shqiptarëve. Pas kësaj vizite, senatorja Anne-Marie Lizin më tha, në prani delegacionit: “Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij, të isha shqiptare nuk do ta blija! Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave!”. As në kohën kur nuk kishim asgjë nën kontroll, e as më vonë kur kërkesa për bojkotin e mallrave serbe u bë një nga kauzat e Lëvizjes Vetëvendosje, bojkoti nuk u realizua! Të shpresojmë që këto masa shtetërore do ta nxisin vetëdijesimin e njerëzve që ta ndërpresin kontributin financiar për shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Të jeni të bindur se në atë moment kur Serbia nuk do të ketë fitime nga Kosova, ajo do të heqë dorë nga financimi i politikës shkatërruese në Kosovë.
Nuk ka asnjë forcë dhe asnjë presion që detyron qytetarin e Kosovës të blejë produkte serbe
“Epoka e re”: Është për t’u habitur se me çfarë shpejtësie reagoi zonja Federica Mogherini, e cila në emër të BE-së kërkoi që taksat të hiqeshin menjëherë. A mendoni se Kosova do të ballafaqohet me presione nga BE-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare?
Mahmuti: Të gjitha institucionet e shtetit serb janë mobilizuar maksimalisht për ta paraqitur Serbinë si viktimë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim i peshuar mirë dhe nuk ka asgjë që mund të jetë në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore. Asnjë masë nuk është e tepërt për ata që e cenojnë lirinë e popullit të Kosovës apo që i bëhen pengesë shtetit të Kosovës për anëtarësim meritor në institucionet politike, ekonomike, të sigurisë dhe ato kulturore ndërkombëtare. Megjithatë, presionet ndaj Kosovës nuk përjashtohen. Sidomos nga ata që asnjëherë nuk kanë ngrehur zërin kundër padrejtësive dhe shkeljeve të rënda që ka bërë Serbia në mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Pa marrë parasysh se nga kush dhe të cilës natyrë do të jenë presionet ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, një gjë është e sigurt: nuk ka asnjë forcë dhe asnjë presion që detyron qytetarin e Kosovës të blejë produkte serbe! Sido që të zhvillohen ngjarjet, çdo shqiptar duhet t’u thotë njëherë e përgjithmonë jo produkteve serbe! Të mos bëhemi financues të shkatërrimit të ardhmërisë sonë dhe gjeneratave që vijnë pas nesh!