Me ceremoni ushtarake rivarroset dëshmori Remzi Maksuti nga Luboveci i Skenderajt

28 qershor 2021 | 18:09

Me ceremoni ushtarake sot u bë rivarrimi i eshtrave të dëshmorit të kombit, ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Bejtullah Maksuti, i rënë në altarin e Lirisë, në betejën e 28 majit të vitit 1999 në Lubovec të Skenderajt.

 

Me këtë rast para të pranishmëve kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke vlerësuar lartë kontributin e dëshmorit Remzi Maksuti, tha se ai si 25 vjeçar ishte një luftëtar shembull, i vendosur, guximtar dhe i betuar për të luftuar deri në frymën e fundit. Ai, si shumë luftëtar tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pati fatin që të përjetojë lirinë por ai me vetëdije të plotë u bë themel i lirisë që sot e gëzojmë.

“Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë  e punojnë falë gjakut të derdhur të luftëtarëve si Remziu e luftëtarë tjerë që ndalën gjenocidin serb që po zhvillohej mbi popullin tonë të pafajshëm e autokton”, tha tutje Jashari.  

Jashari në fund bëri thirrje që të jemi të bashkuar sipas tij në jetësimin e idealit dhe misionit të tyre të shenjtë, sepse dëshmorët e martirët nuk kanë rënë që ne vetëm të jemi të lirë e të na ka kaploje varfëria dhe përçarja  por ata kanë ra që ne të jemi të bashkuar, të kemi mirëqenie e të ardhme më të mirë.

Nga ana tjetër në emër të familjes, vëllai i dëshmorit, Shemsi Maksuti, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ceremoni të rivarrimit të dëshmorit, Remzi Maksuti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si rrallëherë shqiptarët janë sensibiluar dhe të gjithë së bashku…