Me dashuri për vendlindjen
Gjokë Dukaj-Tuz
Sa e njohur po aq e bukur dhe çdo pëllëmbë e saj gjithmonë të sjellë diçka të re, deri atëherë të pazbuluar, të paprekur dhe të pa shijuar. Kështu janë fshatrat tona përreth dhe ato janë hijeshia e kësaj treve të veçantë e që është përshkruar në veprat e krijuesve dhe studiuesve të ndryshëm, vendas dhe të huaj të cilët janë përpjekur të përshkruajnë, sidomos, natyrën e mrekullueshme në cilëndo periudhë të vitit qoftë. Sidomos, në ato treva ku njerëzit tonë, me vullnetin dhe dashurinë e vet, kanë zbukuruar vend-takimet, logjet dhe pushimet, krojet dhe “rrethet e valleve” në fshatrat e tyre të lindjes.
Veprat e tilla, joshin vizitorët ngado që të jenë, për ti vizituar dhe për të kënaqur syrin dhe shpirtin e vet, për të kaluar ndonjë çast të bukur duke vrojtuar natyrën përreth. Vendet e tilla nuk janë të rralla dhe njëra prej tyre është në fshatin e bukur të Selishtit. Nga vera e këtij vitit, në këtë fshat të njohur dhe të mrekullueshëm të Malësisë, është hapur “Parku i Selishtit”, vepër e Mark Nikollë Lulgjuraj dhe familjes së tij. Me të hyrë në parkun e sapondërtuar, fiton përshtypjen se, vërtet, ndodhesh në një mjedis të njohur urban dhe vështirë se mund të largohesh pa e shijuar bukurinë e tij.
Ky bir i kësaj treve të lashtë arbërore, me vullnetin e vet, me djersën dhe me dashurinë e pafund ndaj vendlindjes, i ka ndryshuar pamjen kësaj pike të njohur dhe të bukur kundruall lumit Cem, në njërën anë dhe, nga ana tjetër në gjirin e malit të Sukës. Sipërfaqja e rregulluar në këtë pikëvrojtimi, përveç vullnetit për të ndërtuar dhe zbukuruar edhe më shumë natyrën e bukur, dëshmon dashurinë ndaj vendlindjes, ndaj gjurmëve të trashëguara nga të parët e me të cilat krenohemi brez pas brezit.
Marku, me familjen e vet, edhe pse jeton në SHBA, jo vetëm se viziton shpesh vendlindjen, por ai, tashmë, është i pranishëm me kontributin e vet në aksione të shumta bamirëse, jo vetëm në trevën e Malësisë, por edhe në treva të shumta shqiptare, duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Inaugurimi i “Parkut të Selishtit”, në muajin gusht të këtij vitit, kishte tubuar një numër të madh bashkëvendësish nga e gjithë Malësia dhe më gjerë dhe ishte, vërtet, një festë e bukur në sofrën bujare të shtruar me këtë rast, për ç’gjë kanë njoftuar media të shumta.
Pamja e bukur nga kjo pikëvrojtimi, të zbukuruar me shtatoren e Zojës së bekuar, është gjithnjë e më joshëse për vizitorë të shumtë nga treva të ndryshme. Fotografitë e shumta të shkrepura në këtë vend, me pamjen e mrekullueshme të lumit Cem, tashmë qarkullojnë përmes mesazheve anembanë globit. E gjithë kjo, vepër e Mark Nikollë Lulgjuraj, këtij bamirësi të njohur dhe familjes së tij.