Me ekspozitë fotografish dhe programe artistike, kujtohet edicion i parë i “Flakës së Janarit”
Me emërtimin e saj metaforik “Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj në shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes të atdhetarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e në tetëvjetorin e vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës duke u bërë një manifestim kulturor nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare në shërbim të vendit të tyre.
Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 janar 1992 në trekëndëshin Bresalc-Gjilan-Përlepnicë, e në nderim të kësaj, aktivitetet e ditës së parë të “Flakës…” së këtij viti kanë vazhduar në Bresalc “Te Mejtepi” dhe në Përlepnicë në “Shtëpinë e Kulturës”, ku në kujtim të nismës së këtij manifestimi kulturor, u shfaqën: dokumentare, u ekspozuan fotografi dokumentuese dhe u dhanë programe artistike.
Në Bresalc, i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se është tepër e rëndësishme që përveç ruajtjes së traditës së manifestimit “Flaka e Janarit”, t’i kthehemi edhe bazës edhe arsyes së organizimit të këtij manifestimi mbarëkombëtar.
Njëri ndër themeltarët e këtij manifestimi, Shemsi Syla, ka folur për organizimin e këtij manifestimi kulturor, asokohe, duke sjell në kujtim historikun e manifestimit të “Flakës…”, dhe ka vlerësuar kreun e komunës së Gjilanit që ka ndërmarrë këtë nismë për ta rikthyer në kujtesën tonë, një nismë shumë simbolike, por edhe tejet të rëndësishme të përkujtimit të heronjve dhe dëshmorëve të rënë, që ishin bartës të lëvizjes kombëtare për çlirim.
Syla ka thënë se ky ambient sado i vogël u bë vatër për të përkujtuar, përmes manifestimit që mori edhe emrin “Flaka e Janarit”, përherë rënien sublime të heronjve të kombit.
Po ashtu në këtë ambient u shfaqen pjesë të dokumentarit për “Flakën…” e asaj kohe, një ekspozitë me fotografi të aktiviteteve të “Flakës…”, por edhe një program artistik nga nxënësit, e një gjë e tillë, me një agjendë të njëjtë vazhdoi edhe në Përlepnicë të Gjilanit.
Në Përlepnicë, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku ka thënë se Manifestimi “Flaka e Janarit” mori identitet në Gjilan, por edhe i dha identitet Gjilanit.
Ndërsa, Hydajet Hyseni, njëri ndër themeluesit e këtij manifestimi, ka thënë se sot na ka bashkuar manifestimi ‘Flaka e Janarit”, që është “Flakë” e dëshmorëve që kanë rënë në janar.
Ai tha se janari është acar që ngrinë, por që di të përçojë e të jep flakë dhe se dëshmorët tanë ishin vet flakë, ishin vet zjarr, dhe ajo që mund të thuhet simbolikisht, është misioni i tyre për ta ruajtur flakën e lirisë, për t’ua bartur brezave këtë flakë lirie.
Po ashtu njëri ndër themeltarët e këtij manifestimi, Bujar Nevzati ka evokuar kujtime nga organizimi i këtij manifestimi ndër vite, duke i vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në themelim, por edhe në organizim të “Flakës…”, ndër vite.