Me emblema e flamuj të ri, FSK-ja sivjet shënon Ditën e Forcës me mandat të ri ushtarak
Të mërkurën Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të shënojë ditën e saj, me një ceremoni në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kjo është hera e parë që FSK shënon “Ditën e Forcës” me mision dhe mandat të ri ushtarak, pas fillimit të fazës së tranzicionit që erdhi pas miratimit të ligjeve për FSK-në në Kuvendin e Kosovës.
Andaj edhe kjo ceremoni nuk do të jetë krejt e zakonshme.
Njësitë e FSK-së do të paraqitën me flamuj dhe emblema të reja, të dekretuara për çdo njësi nga presidenti i Republikës së Kosovës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama në një intervistë për “KosovaPress” ka thënë se faza e tranzicionit ka sfida, por shprehet i bindur se do të vazhdojnë me realizimin e objektivave bazuar në planin afatgjatë të paraparë për tranzicionin e FSK-së.
Komandanti i FSK-së vlerëson se viti 2019, që është viti i parë i tranzicionit, është vit i suksesit për FSK-në. Madje, thotë se janë tejkaluar pritshmëritë.
Këtu gjeneral Rama nuk lë pa përmendur partnerët e FSK-së të cilët po e përkrahin edhe në fazën e tranzicionit. Ai thotë se pa aleatët, Forca nuk do të mund të arrinte ku është aktualisht.
Gjatë këtij viti, FSK-ja ka nënshkruar kontrata për pajisje, përfshirë automjete taktike dhe sisteme të armatimit.
Në mesin e shumë donacioneve që ka marrë FSK-ja, janë edhe automjetet taktike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlera e të cilave është rreth 12 milionë.
Gjatë vitit të parë të tranzicionit, ka pasur përkrahje edhe në shkollimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të Forcës.
Aktualisht janë dhjetëra kadetë të rinj të cilët po i përfundojnë shkollimet në këto akademi akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.
E vitin e ardhshëm pritet që, për herë të parë, dy oficerë të ri të FSK-së të përfundojnë akademinë në West Point.
Komandanti i FSK-së ka thënë se vazhdojnë me ngritjen profesionale të stafit, qoftë në trajnime individuale, akademi ushtarake në botë, por edhe trajnime e aktivitete të tjera, siç janë garat dhe ushtrimet fushore që FSK sivjet ka marrë pjesë në shumë vende të botës.