Me flamur të Serbisë tentoi të provokojë shqiptarët në jug të Mitrovicës
Një ngjarje jo e zakontë është shënuar të hënën rreth orës 14:00 tek ura e Ibrit në Mitrovicë.
Një grua rreth 35 vjeç, e mbështjellë me flamur të Serbisë, ka tentuar të dalë në jug të qytetit të Mitrovicës, duke provokuar kështu situatën, por falë reagimit të policisë është evituar ndonjë incident i mundshëm, raporton “Kosovapress”.
Ajo pas ndaljes dhe legjitimimit nga ana e policit të cepi jugor i urës, ka tentuar disa herë të ikë në drejtim të veriut, por nuk është lejuar nga pjesëtari i policisë.
Në pamundësi për të ikur në veri, ajo u është drejtuar karabinierëve që ishin prezentë tek ura në gjuhën angleze, duke kërkuar ndihmë.
Krejt në fund, ajo është ulur në tokë dhe me zë të lartë ka kërkuar ndihmë në gjuhën angleze, ndërsa përforcimet e policisë kanë arritur ta arrestojnë.
Ndryshe, më shumë se 30 persona ishin mbledhur tek ura derisa policia po kryente aksionin. Mbetet e çuditshme se si pjesëtarët e policisë së veriut nuk e kanë ndaluar gruan të cepi verior i urës, por e kanë lejuar kalimin e saj në drejtim të jugut pa e penguar fare, kur dihet situata e ndjeshme në këtë qytet.