Me foto ikonike të para 27 vitesh, Andin Hoti e kujton dënimin e babait, Ukshin Hotit
Andin Hoti, djali i veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit, ka publikuar një fotografi të realizuar në vitin 1994, ku është së bashku me djalin e axhës së vet, Etrit Hotin. Ajo fotografi është bërë menjëherë pas dënimit të Ukshin Hotit me pesë vite burg.
“Shtator 1994, këtë ditë është dënuar babi me 5 vite burg për ‘Ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë,”, ka shkruar Andin Hoti.
Ukshin Hoti është ende i zhdukur dhe asgjë nuk dihet për fatin e tij që nga 16 maji i vitit 1999, ditë e diel ku edhe ka përfundur zyrtarisht denimin 5 vjeçar të burgut.
Atë ditë nga gardianët dhe zyrtarët tjerë të burgut është urdhëruar t’i përgatis rrobat dhe gjësenset e tij dhe nën përcjelljen e tyre është larguar nga objekti i burgut të Dubravës.