Me homazhe përkujtimore shënohet 28 Nëntori
Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, me bashkëpunëtorë, kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, te shtatorja e Adem Jasharit në qytetin e Skenderajt, në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë dhe te busti i mësuesit Halit Geci në Llaushë, i cili u vra në krye të detyrës, duke dhënë mësim, gjersa forcat serbe po ktheheshin nga luftimet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë.
Në llogarinë e tij në “Facebook”, kryetari Nura ka shkruar se për jetë e mot do të përulën para sakrificës së familjes së Adem Jasharit, një nga vetëflijimet më unike që ka njohur njerëzimi, por që na bënë ne krenarë, që akti i tyre sublim në shërbim të atdheut, solli lirinë dhe i hapi rrugë pavarësisë së vendit tonë.
“Festën e 28 Nëntorit – Dita e Flamurit, e nisëm me homazhe te Shtatorja e Adem Jasharit në qytetin tonë, në këtë datë që lidhet edhe me datëlindjen e kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vazhduam në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, për të shprehur mirënjohje të thellë para të rënëve dëshmorë të Jasharëve, pastaj në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë dhe përfunduam me nderime te busti i mësuesit Halit Geci në Llaushë, që u vra në krye të detyrës së tij duke dhënë mësim.
Rruga jonë është e gjatë, për të përmbushur plotësisht amanetin e dëshmorëve, që pasardhësve tanë t’u lëmë në duar një Kosovë me të ardhme të ndritur!”, ka shkruar Nura.