Me Italinë të gjithë, afër e larg
E ndihmojnë të gjithë Italinë, përveç Evropës? Jo: Kina, Rusia, Kuba dhe Vietnami dërgojnë maska mbrojtëse, BE-ja përgatit paketën më të madhe të ndihmës në histori. Gjermania trajton pacientë nga Italia të prekur me koronavirus.
Pllakati në Milano tregon Kinën duke i shtrirë dorën Italisë: “Armiku është virusi, jo njerëzit”. Para pak javësh kinezët i shanin dhe nënçmonin. Ata konsideroheshin si shkaku i koronavirusit që shkaktoi një katastrofë kombëtare në Itali. Ndërkohë Kina konsiderohet si shpëtimtare në rrezik. “Ekspertët kinezë kanë mbledhur shumë përvojë, që tani i nevojitet urgjentisht Italisë”, i deklaroi DW-së, Marcello de Angelis, zëdhënësi i Kryqit të Kuq italian. Në luftën kundër pandemisë Kina deri tani ka arritur suksese të konsiderueshme. Ndaj ne duam të bashkëpunojmë në nivel ndërkombëtar me ekspertët kinezë”.
Mirënjohje Kinës, kritikë Evropës
Pasi u ngadalësua përhapja e virusit në Kinë, ky vend mbështet tani 82 vende me teste, aparatura respirimi dhe veshje mbrojtëse. Javën e kaluar Kina dërgoi 300 mjekë dhe tonelata material mjekësor në Itali.
Po Evropa? Krahasuar me Kinën, ndihma nga fqinjët evropianë për Italinë duket ende modeste. “Në fillim të pandemisë ne ishim të zhgënjyer nga reagimi i ngadaltë i BE-së”, thotë për DW, Elisabetta Gualmini, anëtare e grupit parlamentar të Aleancës Progresive të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian.
Por ndërkohë situata ka ndryshuar urgjentisht. “Shfuqizimi i Paktit të Stabilitetit duket si një revolucion, kjo do ta ndryshojë historinë e procesit të integrimit evropian”, parashikon Gualmini. Ajo nënvizon se “nëse duhet përballuar kriza më dramatike ekonomike që nga koha e Luftës së Dytë Botërore atëherë është më mirë të kesh Evropën mbështetje sesa të jesh vetëm”.
Ndihmë për imazh
Qysh tani është e qartë: Përmasat politike të ndihmës për zonat e katastrofës së koronës i tejkalojnë ato të furnizimit të emergjencës për mjekësinë. Ndihma ka kaluar në nivelin e një instrumenti strategjik të politikës së jashtme. Një lloj gare në dobi të opinionit italian dhe ndërkombëtar duket se ka nisur.
Përshëndetje të përzemërta nga Moska
Mjaft pozitiv e ka inskenuar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mbështetjen ruse. Në fundjavë “Svesda”, televizioni i Ministrisë Mbrojtje të Rusisë, tregoi se si ngarkoheshin kamionët nga baza ushtarake në avionët transportues drejt Italisë. Me këta kamionë mund të dezinfektohen sheshet publike. Automjetet janë pajisur me flamuj rusë dhe italianë. Mesazhi: “From Russia with love”.
Edhe Kuba ka dërguar mjekë në Itali. Në fundjavë mbërritën në Lombardi 52 mjekë kubanezë. Kuba ka ndihmuar edhe Kinën me ekspertizë e madje ka fituar reputacion në mbarë botën me angazhimin ndaj krizës së Ebolas në Afrikën Perëndimore në vitin 2014.
Edhe Vietnami mbështet Italinë me teste për koronavirusin
Evropa e Gjermania fillimisht e humbën këtë garë. Por tashmë ndihmat kanë nisur intensivisht. Të mërkurën në Romë dhe në Milano mbërritën dy avionë transporti të armatës italine me shtatë tonë mjete mjekësore nga Gjermania, ndër to edhe aparatura respirimi që nevojiten urgjentisht.
“From Germany with love”?
Për këtë nuk u raportua në media. As në rrjetet sociale nuk u postuan imazhe me komentin “From Germany with love”. Vetëm ministri italian i Mbrojtjes Lorenzo Guerini falenderoi “miqtë dhe aleatët gjermanë për mbështetjen në këto momente të vështira”.
Në opinionin italian dominon imazhi, që Gjermania e ka lënë në baltë. Më 12 mars në kohën e gjendjes kombëtare të emergjencës u shfuqizua ndalimi i eksporteve, që ishte vendosur në rutinë, për materialet mjekësore. Kjo bëri që maskat mbrojtëse të porositura nga Italia të konfiskoheshin.
“Në fakt ky është një shembull negativ, që tregon se në krizë secili vend mendon fillimisht për vete”, thotë Sven Biscop në bisedë për DW. Drejtori i Thinktank belg “The Royal Institute for International Relations Egmont” është i sigurt, se kjo do të ndryshojë. “Të gjitha vendet do të jenë të varura prej ndihmës nga BE, për të përballuar krizën ekonomike”, thotë Biscop.
Ndërkohë Gjermania po punon për rikuperimin e imazhit negativ të krijuar. Pasi landi i Saksonisë deklaroi se do të trajtojë pacientë të prekur nga coronavirusi nga Italia, edhe Bavaria dhe Renania Veriore – Vestfalia (NRW) ofruan një shërbim të tillë. Në NRW do të sillen dhjetë pacientë me avionë të ushtrisë italiane. “Kjo është një mbështetje e vogël”, tha kryeministri i landit Armin Laschet për mediat. “Por ne duam të sinjalizojmë, që ju nuk jeni vetëm”, shtoi ai.